Sport
Çdo ndeshje e fituar/ FIFA zgjedh arbitrin e “preferuar” të Messit për sfidën me Anglinë
FIFA ka zyrtarizuar arbitrat që do të drejtojnë gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Anglisë dhe Argjentinës.
Takimi do të gjykohet nga arbitri Ismail Elfath, një emër që është tashmë i njohur për Lionel Messin dhe kombëtaren argjentinase.
Elfath, i lindur në Marok dhe i rritur në Shtetet e Bashkuara, ishte arbitri i katërt në finalen e Kupës së Botës 2022 mes Argjentinës dhe Francës, e cila u fitua nga argjentinasit pas ekzekutimit të penalltive.
Arbitri amerikan e njeh mirë edhe Lionel Messin nga koha kur ylli argjentinas luan te Inter Miami. Elfath ka gjykuar katër ndeshje të Messit në MLS dhe në të gjitha ato ndeshje skuadra e argjentinasit ka dalë fituese.
Emërimi i tij vjen në një moment kur arbitrimi ndaj Argjentinës është vënë në qendër të debatit. Gjatë këtij Botërori nuk kanë munguar akuzat për favorizim të kampionëve në fuqi, sidomos pas ndeshjeve ndaj Egjiptit në fazën e 1/8-ave dhe Zvicrës në çerekfinale.
Federata Egjiptiane e Futbollit madje paraqiti një ankesë zyrtare në FIFA, duke kërkuar përjashtimin e arbitrave të asaj sfide për shkak të disa vendimeve të diskutueshme. Edhe futbollistët zviceranë kritikuan ashpër arbitrimin pas eliminimit të tyre, duke pretenduar se vendimet ishin të njëanshme.
Mbrojtësi Manuel Akanji deklaroi pas ndeshjes se skuadra e tij ishte penalizuar vazhdimisht nga gjyqtari, duke e cilësuar atë si një nga ndeshjet më të njëanshme që kishte përjetuar.
Në rrjetet sociale, edhe tifozët anglezë kanë shprehur shqetësime për arbitrimin e sfidës së së mërkurës, duke pretenduar se Argjentina ka përfituar nga vendime të favorshme gjatë turneut.
Në gjysmëfinale, Elfath do të ndihmohet nga asistentët amerikanë Corey Parker dhe Kyle Atkins, ndërsa italiani Maurizio Mariani do të jetë arbitër i katërt dhe Daniele Bindoni arbitër rezervë.
Ismail Elfath ka një histori të veçantë në futboll. Ai e nisi karrierën si sulmues në SHBA, por vendosi të bëhej arbitër pasi ishte i pakënaqur me nivelin e gjykimit në ndeshjet ku luante. Paralelisht punoi edhe në sektorin e teknologjisë së informacionit, përpara se t’i përkushtohej plotësisht arbitrimit, ku sot konsiderohet si një nga gjyqtarët më të vlerësuar në arenën ndërkombëtare.