Connect with us

Rajon

‘Serbia e Millosheviçit mbetet e njëjtë’/ Kamberi dënon deklaratën e ministres serbe

Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, thotë se u ka dërguar një letër të gjitha ambasadave ndërkombëtare në Beograd dhe kërkon prej tyre reagim, në lidhje me një deklaratë fashiste të ministres serbe për Pushtetin Lokal, Snežana Paunović.

“Deklarata e Ministres për Pushtetin Lokal, Snežana Paunović, se po të ishte në vend të Slobodan Miloševićit do ta spastronte etnikisht Kosovën, është skandaloze, e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional.

Për këtë arsye, sot, nëpërmjet një shkrese zyrtare, kam kërkuar reagim nga të gjitha ambasadat relevante ndërkombëtare në Beograd.

Një deklaratë e tillë nuk mund të konsiderohet e izoluar. Ajo është rezultat i mohimit sistematik të krimeve të luftës, glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, relativizimit të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe revizionizmit të historisë”, shkruan ai.

Shaip Kamberi thotë se për shqiptarët e Luginës së Preshevës, deklarata të tilla nga përfaqësues të institucioneve shtetërore përbëjnë një burim shtesë pasigurie, sepse kur një anëtar i Qeverisë flet për spastrim etnik, pjesëtarët e komuniteteve pakicë me të drejtë shtrojnë pyetjen se çfarë sigurie mund të presin nga këto institucione.

“Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka obligim të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e komuniteteve pakicë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këto obligime dhe tejkalojnë çdo standard demokratik mbi të cilin bazohet Bashkimi Evropian.

Në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Republikës së Serbisë, do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres. Në të kundërtën, heshtja dhe mungesa e veprimit do të kuptohen si miratim i deklaratës së saj dhe si qëndrim zyrtar i të gjithë Qeverisë”, përmbyll deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi.

Advertisement