Connect with us

Aktualitet

Siguria Kombëtare, demokracia dhe zhvillimi, janë tri shtyllat e interesit kombëtar

Nga Hisen Berisha

Ashtu siç pas pushtetit jo gjithmonë fshihet drejtësia, edhe pas turmës nuk fshihet gjithmonë e vërteta.

Protestat janë pjesë legjitime e jetës demokratike kur zhvillohen në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që debati publik të mos humbasë fokusin nga zhvillimi ekonomik, investimet strategjike dhe mirëqenia e qytetarëve.

Investimi nuk duhet parë si shitje e interesit kombëtar.

Investimet, duhen parë si një mekanizëm për zhvillim, punësim dhe rritje ekonomike, për aq kohë sa respektohen ligjet, mbrohet interesi kombëtar dhe publik, si dhe garantohen standardet më të larta të transparencës dhe llogaridhënies.

Nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, zhvillimi ekonomik dhe siguria janë dy dimensione të pandashme të interesit shtetëror.

Një shtet i sigurt, me institucione funksionale, sundim të ligjit dhe rend juridik të besueshëm, tërheq investime serioze, ndërsa investimet strategjike, të zhvilluara në përputhje me ligjin dhe interesin publik, e bëjnë shtetin ekonomikisht më të fortë, më të qëndrueshëm dhe më rezistent ndaj rreziqeve të jashtme.

Në këtë kuptim, siguria ekonomike është një komponent thelbësor i sigurisë kombëtare.

Investimet strategjike në sektorin e turizmit kanë potencial ta forcojnë pozitën e Shqipërisë si një destinacion të rëndësishëm rajonal dhe evropian. Megjithatë, çdo projekt i këtij karakteri duhet të ndërtohet mbi themelet e transparencës, konkurrencës së ndershme dhe sundimit të ligjit.
Vetëm një proces i hapur dhe i besueshëm u jep legjitimitet projekteve strategjike, forcon besimin e qytetarëve dhe investitorëve, si dhe eliminon hapësirën për manipulime, keqinterpretime apo instrumentalizime politike.

Pretendimet se protestat apo kundërshtimet ndaj projekteve të caktuara investive mund të jenë të organizuara ose të nxitura nga aktorë të jashtëm apo shërbime të shteteve rivale kërkojnë verifikim institucional dhe prova të qarta.
Në një mjedis të karakterizuar nga kërcënime hibride, si investimet strategjike, ashtu edhe kundërshtimet ndaj tyre mund të bëhen objekt i manipulimit informativ apo instrumentalizimit politik.
Për këtë arsye, debati publik duhet të mbështetet në argumente, evidencë dhe përgjegjësi, duke shmangur spekulimet dhe teoritë konspirative që vetëm sa dëmtojnë besimin qytetar dhe cilësinë e demokracisë.

Si Kosova ashtu edhe Shqipëria kanë nevojë për institucione të forta, respektim të rendit kushtetues, transparencë në qeverisje dhe politika që nxisin zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe stabilitetin shoqëror.

Stabiliteti i Shqipërisë nuk është vetëm një çështje e brendshme e saj. Ai përbën një interes strategjik për Kosovën dhe për hapësirën kombëtare shqiptare në tërësi. Një Shqipëri demokratike, ekonomikisht e zhvilluar, e sigurt dhe me institucione të besueshme forcon pozitën e shqiptarëve në rajon, kontribuon në sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe rrit peshën e faktorit shqiptar në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.

Qytetarët presin zgjidhje konkrete, përgjegjësi politike dhe vendimmarrje që forcon besimin në shtet, në demokraci dhe në të ardhmen e përbashkët.
Ky besim ndërtohet jo përmes polarizimit, por përmes ligjit, transparencës, dialogut institucional dhe vizionit shtetformues.

Advertisement