Kosova
Rritet presioni gjerman rritet pas deklaratës skandaloze të ministres serbe për Kosovën
Eurodeputeti gjerman nga Partia Popullore Evropiane (PPE), Michael Gahler, është zyrtari i fundit që reagon ndaj deklaratave skandaloze të ministres serbe Snezhana Paunovic në lidhje me spastrimin etnik të Kosovës.
Përmes një postimi në “X”, ai tha se deklaratat e një ministri të një vendi kandidat nuk mund të injorohen.
Gahler tha se pret që ajo të japë dorëheqjen.
“Deklarata të tilla nga një ministre e një vendi kandidat nuk mund të injorohen: më 11 korrik, ministrja serbe Paunovic tha në një intervistë televizive se, nëse do të kishte qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998, ajo do ta ‘pastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët’.”
“Pres që ajo të shkarkohet nga detyra”, shkroi Gahler në X.
Më herët, kishte reaguar edhe anëtarja e Bundestagut gjerman për rrethin e Böblingen, Jasmina Hostert, e cila dënoi deklaratën e ministres serbe, duke thënë se është e papranueshme dhe bie ndesh me të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Është e papranueshme. Kushdo që justifikon spastrimin etnik po tall viktimat e Luftës së Kosovës dhe po shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare”, shkroi Hostert.
Ajo ka kërkuar që Paunovic të shkarkohet nga detyra, duke vlerësuar se deklarata të tilla nuk kanë vend në një qeveri demokratike.
“Nuk duhet të ketë vend për fjalë të tilla në një qeveri demokratike; ato dëmtojnë paqen në Ballkanin Perëndimor. Ministri duhet të japë dorëheqjen”, deklaroi deputeti gjerman.
Edhe anëtari i Bundestagut për Hanoverin e Veriut, Adis Ahmetoviq, reagoi, duke thënë se përgjigja e duhur nga Beogradi do të ishte shkarkimi i menjëhershëm i ministrit Paunoviq.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian. Kjo përfshin edhe Serbinë. Por një frymë nacionalizmi dhe urrejtjeje, që buron nga disa qeveri, nuk ka vend në bashkësinë tonë evropiane të vlerave”, shkroi Ahmetović.
Sipas tij, deklarata të tilla dëmtojnë procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian ka reaguar gjithashtu ndaj deklaratave fashiste të ministres serbe, ku reagimi më i ashpër erdhi nga Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos, e cila tha se pas deklaratave të tilla “të tmerrshme”, ajo nuk mund ta imagjinojë Paunović-in të vazhdojë si ministër.
Pas kësaj deklarate, Kosova e shpalli Paunoviqin “non grata”.