Aktualitet
“Paratë i mori drejtoresha”/ Dëshmia që trondit skandalin në postën shqiptare
Detaje të reja dalin nga dosja hetimore për zhdukjen e 69 milionë lekëve të rinj në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare janë arrestuar dhe ndaj tyre pritet vendimi i gjykatës për masën e sigurisë.
Gjatë seancës gjyqësore, ku Prokuroria e Durrësit ka kërkuar “arrest me burg” për tre të arrestuarat, ndërsa mbrojtja ka kërkuar masë më të butë, “detyrim paraqitjeje”, kanë dalë edhe deklarata të reja nga të pandehurat.
Shefja e financës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Valbona Hoti Duni, mësohet se ka deklaruar para gjykatës se paratë e vjedhura nuk i ka mbajtur ajo, por i ka marrë drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, në zyrën e saj.
Ish-drejtoresha, Elisabeta Mataj
Ndërkohë, drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, gjatë përballjes me gjykatën, nuk ka dhënë një shpjegim se ku kanë përfunduar paratë. E pyetur nga gjykata për destinacionin e shumës prej 69 milionë lekësh, Mataj është përgjigjur se nuk e di.
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, tre zyrtaret dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026 nuk kanë arkëtuar në degët Shijak dhe Krujë shumën prej 69 milionë lekësh të rinj.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën, përfshirjen e mundshme të personave të tjerë dhe destinacionin përfundimtar të shumës së konsiderueshme financiare.