Aktualitet
“The Odyssey” pushton kinematë, arkëton 264 milionë dollarë në fundjavën e parë
“The Odyssey” (Odiseja), filmi i shumëpritur i regjisorit Christopher Nolan, ka debutuar fuqishëm në kinematë botërore, duke arkëtuar 264 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë të shfaqjes, sipas studios Universal Pictures.
Filmi, i cili u publikua të premten, është një adaptim i poemës epike të Homerit dhe rrëfen historinë e Odisesë, mbretit të Itakës, gjatë udhëtimit të tij 10-vjeçar për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës.
Në kastin e aktorëve bëjnë pjesë emra të njohur të Hollywood-it si Matt Damon, Tom Holland, Anne Hathaway, Zendaya, Robert Pattinson, Lupita Nyong’o, Samantha Morton dhe Charlize Theron.
Filmi, i cili raportohet se ka kushtuar rreth 250 milionë dollarë, shënon hapjen më të mirë në karrierën e Christopher Nolan jashtë trilogjisë së Batman. Rekordi i mëparshëm i regjisorit ishte “The Dark Knight Rises”, i cili në vitin 2012 debutoi me 249 milionë dollarë në nivel global, ose rreth 362 milionë dollarë sipas vlerës së inflacionit.
Sipas Universal Pictures, 56% e audiencës në Amerikën e Veriut ishin meshkuj, ndërsa më shumë se tre të katërtat e spektatorëve mbi 25 vjeç blenë bileta për ta parë filmin. Gjysma e publikut ishte e grupmoshës 18-34 vjeç.
Në tregjet ndërkombëtare, Britania e Madhe dhe Irlanda regjistruan debutimin më të fortë, me të ardhura prej 12.9 milionë paundësh (17.4 milionë dollarë) gjatë tre ditëve të para.
“The Odyssey” hyn gjithashtu në histori si filmi i parë artistik i realizuar tërësisht me kamera IMAX, duke ofruar cilësi më të lartë të figurës dhe një eksperiencë unike vizuale. Shfaqjet e fundjavës së parë në kinemanë BFI IMAX në Londër u shitën plotësisht, ndërsa disa fansa u rreshtuan që në mesnatë dhe në orët e para të mëngjesit për të qenë pjesë e premierës.
Filmi u shfaq njëkohësisht në 73 tregje ndërkombëtare, në më shumë se 12 mijë e 800 kinema dhe 26 mijë ekrane në mbarë botën, përfshirë 440 salla IMAX. Në Amerikën e Veriut, më shumë se gjysma e të ardhurave nga biletat erdhën nga formatet premium, si IMAX.
Christopher Nolan ka deklaruar se realizimi i “The Odyssey” ishte një nga projektet më sfiduese të karrierës së tij dhe se, pas publikimit të filmit, planifikon të marrë një pushim të gjatë. Regjisori ka bërë të ditur se nuk pritet të nisë një projekt të ri filmik për të paktën tre vitet e ardhshme.
Që në ditët e para të shfaqjes, “The Odyssey” është vlerësuar gjerësisht nga kritika, me shumë kritikë që e cilësojnë atë si filmin më të mirë të Christopher Nolan deri më sot.