Connect with us

Sport

Në Itali shtohen zërat për Pep Guardiolën në krye të Azzurrëve, gati sforco financiare

Federata Italiane e Futbollit (FIGC) po bën një përpjekje serioze për të bindur Pep Guardiolën të marrë drejtimin e kombëtares italiane. Trajneri spanjoll konsiderohet kandidati kryesor për stolin e “Azzurrëve”, ndërsa drejtuesit e federatës kanë nisur kontaktet konkrete me të.

Sipas mediave italiane, drejtori teknik Paolo Maldini dhe këshilltari i tij Leonardo janë takuar me Guardiolën në Barcelonë, ku i kanë prezantuar projektin e ri teknik dhe vizionin afatgjatë të FIGC-së për rikthimin e Italisë në elitën e futbollit botëror.

Presidenti i FIGC-së, Xhovani Malago, ka konfirmuar interesimin për teknikun katalanas, duke pranuar se federata është e gatshme të bëjë edhe një përjashtim financiar për ta emëruar atë në krye të përfaqësueses.

“Duhet të vlerësojmë jo vetëm gatishmërinë e trajnerit, por edhe kërkesat e tij dhe përputhshmërinë me mundësitë financiare të Federatës”, u shpreh Malago.

Italia drejtohet aktualisht nga një trajner i përkohshëm, pasi Xhenaro Gatuzo u largua në prill, pas dështimit për ta kualifikuar kombëtaren në Kupën e Botës.

Nga ana tjetër, Guardiola i dha fund aventurës dhjetëvjeçare te Mançester Siti dhe ka deklaruar se nuk e ka me nxitim për t’u rikthyer menjëherë në pankinë. Megjithatë, oferta e FIGC-së mund ta bindë të nisë një kapitull krejtësisht të ri në karrierën e tij.

Nëse pranon, kjo do të jetë hera e parë që Guardiola do të drejtojë një ekip kombëtar. Sipas raportimeve, përgjigjja e tij pritet brenda ditëve në vijim. Ndërkohë, Roberto Mançini dhe Andrea Pirlo mbeten alternativa të tjera në listën e kandidatëve për stolin e Italisë.

Advertisement