Connect with us

Bota

TRUMP: SHBA NUK ESHTE DERRKUC I EUROPES

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, reagoi ashpër ndaj Bashkimit Evropian pas vendimit të Komisionit Evropian për të gjobitur Google, duke e akuzuar Brukselin se po godet sistematikisht kompanitë amerikane të teknologjisë dhe duke paralajmëruar kundërmasa tregtare.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump pretendoi se Bashkimi Evropian po përdor gjobat si një mënyrë për të përfituar në kurriz të kompanive amerikane.

Bashkimi Evropian e ka bërë përsëri. Pas gjobës prej 15 miliardë dollarësh ndaj Apple, 3 miliardë dollarëve ndaj Meta, 2.5 miliardë dollarëve ndaj Amazon dhe shumë kompanive të tjera amerikane, tani ka vendosur edhe një gjobë prej 1 miliard dollarësh ndaj Google, pa asnjë shpjegim. Kjo e çon totalin e gjobave ndaj Google në mbi 18 miliardë dollarë. Bashkimi Evropian po sulmon drejtpërdrejt kompanitë tona dhe nuk do ta lejojmë këtë“, tha ai.

Presidenti amerikan tha se administrata e tij do të përgjigjet me masa konkrete ndaj Bashkimit Evropian.

Shtetet e Bashkuara nuk janë derrkuc kursimi i Evropës dhe nuk do ta lejojmë këtë. Do të nisim menjëherë një hetim sipas Nenit 301 mbi praktikën e ‘grabitjes’ së kompanive amerikane dhe të taksapaguesve amerikanë. Bashkimi Evropian do të paguajë një çmim shumë të lartë për këtë sjellje të paligjshme dhe thellësisht joetike. Presim gjithashtu të vendosim tarifa të konsiderueshme ndaj BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur“, tha Trump.

Reagimi i Trump vjen një ditë pasi Komisioni Evropian vendosi një gjobë prej 890 milionë eurosh ndaj Google, duke përmbyllur dy hetime sipas Aktit për Tregjet Digjitale (Digital Markets Act – DMA). Sipas Brukselit, kompania ka shkelur rregullat që synojnë të kufizojnë pozitën dominuese të platformave të mëdha teknologjike dhe të garantojnë konkurrencë të ndershme në tregun digjital.

Gjoba e dytë, në vlerën 430 milionë euro, lidhet me Google Play Store. Sipas Komisionit, Google ua kufizonte zhvilluesve të aplikacioneve mundësinë për t’i informuar përdoruesit për oferta më të lira jashtë platformës dhe u ngarkonte tarifa që tejkalonin kufijtë e lejuar nga legjislacioni evropian.

Nuk mjafton vetëm të pretendohet përputhje me Aktin për Tregjet Digjitale. Google nuk ka përmbushur detyrimet e tij në mënyrë efektive dhe sot kemi ndërmarrë masa të vendosura, por të balancuara, për të sanksionuar këto shkelje“, deklaroi zëvendëspresidentja ekzekutive e Komisionit Evropian për politikën e konkurrencës, Teresa Ribera.

Google e kundërshtoi vendimin, duke argumentuar se ndryshimet e kërkuara do të përkeqësojnë shërbimet për përdoruesit evropianë dhe do të dobësojnë mekanizmat e sigurisë në Play Store. Kompania njoftoi se po shqyrton paraqitjen e një ankese.

Komisioni Evropian i ka dhënë Google 60 ditë kohë për të zbatuar kërkesat e vendimit. Nëse nuk i respekton ato, kompania mund të përballet me procedura të reja dhe me gjoba ditore që mund të arrijnë deri në 5 për qind të xhiros ditore globale të Alphabet, kompania mëmë e Google.

Trump 'tërbohet' me BE pas gjobës ndaj Google: SHBA nuk

Advertisement