Connect with us

Rajon

Tragjedi në Kretë, humbin jetën dy të rinj shqiptarë në aksident me motoçikletë

Një aksident i rëndë rrugor ka marrë jetën e dy të rinjve shqiptarë në ishullin e Kretës, në Greqi. Viktimat janë identifikuar si Edison Xhaka, 28 vjeç nga Elbasani, dhe Aleksandër Toçila, 34 vjeç nga Gramshi.

Ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, rreth orës 03:00, në aksin rrugor Kissamos–Hania, pranë zonës së Kolymbarit.

Sipas autoriteteve greke, motoçikleta me të cilën udhëtonin dy shqiptarët ka dalë nga rruga për shkaqe që ende nuk janë zbardhur plotësisht dhe është përplasur me barrierën metalike anësore. Përplasja ka qenë fatale, pasi të dy të rinjtë kanë ndërruar jetë në vendngjarje.

Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në zonë, por pavarësisht përpjekjeve, nuk arritën t’u shpëtonin jetën dy viktimave.

Mësohet se Edison Xhaka jetonte dhe punonte prej disa vitesh në zonën e Kissamosit, ndërsa Aleksandër Toçila ishte vendosur aty për arsye pune. Lajmi i humbjes së tyre ka tronditur komunitetin shqiptar në Kretë, ku të dy njiheshin si persona punëtorë dhe të respektuar.

Shoqata Shqiptare “Kastel” në Kisamo ka shprehur dhimbjen për humbjen e dy bashkatdhetarëve dhe ka përcjellë ngushëllimet për familjarët, miqtë dhe të afërmit e tyre.

Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit dhe rrethanat që çuan në humbjen tragjike të jetës së dy të rinjve shqiptarë.

Advertisement