Connect with us

Bota

Kriza e Ceutës rikthen modelin “Gjadër” në Bruksel, Italia kërkon qendra emigrantësh jashtë BE-së

Italia synon të shfrytëzojë krizën e emigracionit në Ceuta për të shtyrë përpara në Bruksel projektin e krijimit të qendrave të riatdhesimit jashtë territorit të Bashkimit Europian, sipas modelit të marrëveshjes me Shqipërinë.

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni kërkon që këto qendra të mos rëndojnë mbi buxhetet kombëtare, siç ka ndodhur me strukturat në Shëngjin dhe Gjadër, të cilat sipas kritikëve kanë funksionuar me kapacitete të kufizuara. Roma kërkon që pjesa më e madhe e kostove të mbulohet nga Bashkimi Europian.

Propozimi pritet të hidhet në tryezën e ministrave të Brendshëm të BE-së, pas valës së emigracionit në enklavën spanjolle të Ceutës, në kufi me Marokun. Edhe pse situata atje është qetësuar, Italia beson se kriza ka krijuar një moment të përshtatshëm për të përshpejtuar diskutimet europiane mbi politikat e migracionit.

Meloni pretendon se ka mbështetjen e disa vendeve anëtare, përfshirë Danimarkën dhe shpreson edhe për afrimin e Gjermanisë. Roma po ushtron presion që të zbatohen më shpejt mekanizmat e parashikuar në Paktin e ri Europian për Migracionin.

Sipas mediave italiane, Italia ka zhvilluar kontakte me disa vende jashtë BE-së për ngritjen e qendrave të mundshme, mes tyre Ruanda, Gana, Senegali, Tunizia, Libia, Mauritania, Egjipti, Uganda, Uzbekistani, Armenia, Mali i Zi dhe Etiopia.

Në mbështetje të kësaj linje, 22 liderë europianë kanë firmosur një letër ku theksohet se mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së është përgjegjësi e përbashkët e Europës. Franca nuk është pjesë e nënshkruesve, ndërsa Berlini ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar, por ka mbështetur dokumentin pas negociatave diplomatike.

Meloni e ka cilësuar situatën në Ceuta si një sinjal alarmi për Europën, ndërsa qeveria italiane kërkon një përgjigje të përbashkët ndaj flukseve migratore.

Ndërkohë, opozita italiane e ka kritikuar ashpër nismën, duke e akuzuar qeverinë për përdorim politik të krizës. Partia Demokratike dhe Lëvizja 5 Yjet kanë kërkuar që Meloni të raportojë në Parlament, duke e cilësuar vendimin për migracionin dhe masat ndaj Schengenit si një lëvizje propagandistike./ La Repubblica

Advertisement