Connect with us

Politike

Rama: Kërcënimi më i madh për Shqipërinë janë shqiptarët

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se sfida më e madhe për Shqipërinë është puna që shqiptarët duhet të bëjnë me veten për të arritur standardet e Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për TikToker-in e njohur Max Klymenko gjatë Samitit të NATO-s, Rama u pyet për qeverisjen, sfidat e vendit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jetën e tij personale.

“Kërcënimi më i madh për Shqipërinë janë shqiptarët, në kuptimin që duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi shumë punë për të bërë dhe duhet të vazhdojmë në drejtimin drejt Bashkimit Evropian. Dhe sapo të jemi brenda Bashkimit Evropian, do të jemi të sigurt edhe nga vetja jonë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë tha se pjesa më e vështirë e detyrës së tij është presioni i vazhdueshëm i punës, ndërsa zbuloi se fle mesatarisht rreth pesë orë në natë. Sipas tij, pjesa që e motivon më shumë është mundësia për të realizuar projekte që ndikojnë pozitivisht te qytetarët.

Gjatë intervistës, Rama foli edhe për raportet me liderët e huaj, duke përmendur marrëdhënien e tij me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe ish-kryeministrin holandez Mark Rutte.

Ai e cilësoi marrëdhënien me Melonin si një nga më të afërtat, ndërsa për Rutte tha se pas një periudhe sfiduese politike, të dy kanë ndërtuar një miqësi të veçantë.

Max Klymenko është një influencer dhe sipërmarrës ukrainas me bazë në Londër, i njohur për serinë “Career Ladder” në TikTok dhe YouTube, si dhe fitues i çmimit “Creator of the Year” në TikTok UK në vitin 2025.

Advertisement