Kronike
I dënuar me 6 vite burg në Itali për trafik droge, arrestohet në Durrës i shumëkërkuari
Një 50-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Durrës me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Gentian Lika u lokalizua dhe u ndalua në kuadër të operacionit policor “FAST”, të zhvilluar nga strukturat operacionale të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Sipas njoftimit zyrtar, Lika ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit të Romës, me një vendim të muajit mars 2025, e kishte dënuar me 6 vite burgim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, sipas legjislacionit italian.
Pas ndalimit të tij, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane, ka nisur procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit drejt Italisë.
Policia vijon operacionet për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për t’iu dorëzuar autoriteteve të drejtësisë.