Connect with us

Bota

Gjermania nën alarm nga vapa, afro 10 mijë viktima nga temperaturat ekstreme

Gati 10 mijë persona kanë humbur jetën në Gjermani si pasojë e temperaturave të larta gjatë vitit 2026, sipas vlerësimeve të Institutit Robert Koch, duke tejkaluar numrin më të lartë vjetor të vdekjeve të lidhura me të nxehtin në dekadën e fundit.

Sipas të dhënave paraprake, nga fillimi i prillit deri më 19 korrik 2026 janë regjistruar rreth 9.800 vdekje të lidhura me temperaturat ekstreme. Shifra më e lartë vjetore e regjistruar në vitet e fundit ishte rreth 9 mijë raste në vitin 2018.

Ekspertët paralajmërojnë se bilanci përfundimtar mund të jetë edhe më i lartë, pasi vlerësimi aktual nuk përfshin periudhat e nxehtësisë pas datës 19 korrik dhe do të përditësohet pasi të mblidhen të dhëna më të plota mbi vdekshmërinë.

Sipas Institutit Robert Koch, më shumë se 5 mijë nga këto raste lidhen me valën intensive të të nxehtit në gjysmën e dytë të qershorit, kur temperaturat në disa zona të Gjermanisë iu afruan 42 gradë Celsius.

Shërbimi klimatik europian Copernicus ka raportuar se qershori i vitit 2026 ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Europën Perëndimore. Ndërkohë, Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë bëri të ditur se gjatë javës 22-28 qershor numri i vdekjeve ishte 32% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Më të prekurat nga temperaturat ekstreme kanë qenë grupmoshat e moshuara. Instituti Robert Koch vlerëson se rreth 7.900 viktima ishin persona mbi 75 vjeç, pasi nxehtësia përkeqëson sëmundjet ekzistuese të zemrës, mushkërive dhe veshkave.

Në shumicën e rasteve, temperaturat e larta nuk regjistrohen si shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes, por ndikojnë në përkeqësimin e gjendjeve shëndetësore ekzistuese. Për këtë arsye, ekspertët e konsiderojnë vapën si një “shkak të heshtur të vdekjes”, me ndikim të madh veçanërisht gjatë valëve ekstreme të të nxehtit.

Advertisement