Kronike
Aksion i Policisë në Tiranë dhe Fushë-Krujë, 2 të arrestuar, sekuestrohen kokainë dhe një automjet luksoz
Një operacion i befasishëm i Policisë së Shtetit është zhvilluar në disa zona të Tiranës, si edhe në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël, ku janë arrestuar në flagrancë dy persona dhe janë sekuestruar lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një armë e ftohtë dhe një automjet luksoz.
Aksioni u organizua nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, në kuadër të kontrolleve për rritjen e sigurisë publike dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.
Sipas Policisë, kontrollet u përqendruan në evidentimin e personave që mbajnë armë pa leje, posedojnë lëndë narkotike, janë në kërkim, si dhe në verifikimin e automjeteve luksoze, mjeteve me xhama të errësuar jashtë normave të lejuara dhe automjeteve të modifikuara që shkaktojnë ndotje akustike.
Gjatë operacionit u kontrolluan 87 automjete dhe 118 shtetas, ndërsa u konstatuan 34 automjete me xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, për të cilat u morën masa administrative dhe u hoqën xhamat në vend.
Po ashtu, 12 automjete dhe 16 persona u shoqëruan në komisariat për verifikime të mëtejshme.
Një prej të arrestuarve u kap me një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa personi i dytë u vu në pranga pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua një armë e ftohtë, konkretisht një shufër metalike.
Gjatë kontrolleve, policia shoqëroi edhe një shtetas që kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa automjeti luksoz që ai përdorte u sekuestrua.
Policia e Shtetit njofton se operacione të tilla do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me synim parandalimin e paligjshmërisë dhe garantimin e rendit e sigurisë publike.