Kronike
Aksident tragjik në Tropojë/ Ndërron jetë në spital drejtuesi i motorit
Aleks Uka ka humbur jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi u aksidentua gjatë ditës së sotme në segmentin rrugor Fushë Arrëz-Bajram Curri, në fshatin Porav.
Fillimisht u raportua se aksidenti kishte ndodhur nga përplasja mes një motori dhe një automjeti tip fuoristradë, por verifikimet e kryera nga policia në vendngjarje kanë nxjerrë një tjetër dinamikë të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, Uka ka humbur kontrollin e motorit me të cilin udhëtonte dhe është përplasur me murin anësor të rrugës. Automjeti fuoristradë që u përmend fillimisht në raportimet e para nuk ka qenë pjesë e aksidentit, por drejtuesi i saj është ndalur për t’i dhënë ndihmë të plagosurit.
Pas përplasjes, Aleks Uka është transportuar fillimisht në spitalin e Bajram Currit dhe më pas është dërguar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por pavarësisht ndërhyrjes mjekësore nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Policia vijon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e humbjes së kontrollit të motorit.