Connect with us

Aktualitet

VIZAT AMERIKANE, VENDIMI PER SHQIPERINE

Një gjykatë federale në Washington ka vendosur se politika e administratës Trump për pezullimin e përpunimit të vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, është në kundërshtim me ligjin.

Në një vendim të dhënë më 31 korrik, gjyqtari federal Amit Mehta arriti në përfundimin se politika e njohur si “Public Charge Policy”, e miratuar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tejkalon kompetencat që Kongresi i ka dhënë Departamentit të Shtetit sipas Ligjit për Emigracionin dhe Shtetësinë.

Politika hyri në fuqi më 21 janar 2026 dhe urdhëronte zyrtarët konsullorë të refuzonin ose të pezullonin shqyrtimin e vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve, derisa Departamenti i Shtetit të hartonte procedura të reja për vlerësimin e rrezikut që aplikantët mund të bëheshin përfitues të ndihmës sociale në Shtetet e Bashkuara. Në listë përfshiheshin edhe Shqipëria dhe Kosova.

Në arsyetimin e tij, gjyqtari thekson se ligji ia rezervon vendimmarrjen për dhënien ose refuzimin e vizave oficerëve konsullorë, ndërsa Sekretari i Shtetit nuk ka kompetencë të imponojë refuzime kolektive për një kategori të tërë aplikantësh.

Gjykata urdhëroi që aplikimi konkret i paditësve të rishqyrtohet individualisht brenda 60 ditëve, por vendimi nuk e shfuqizon automatikisht politikën për të gjithë aplikantët nga 75 vendet, pasi çështja është gjykuar mbi bazën e një padie individuale.

Më 14 janar u raportua se Shqipëria dhe Kosova ishin përfshirë në listën e vendeve për të cilat Departamenti i Shtetit kishte pezulluar përpunimin e vizave të emigrimit në pritje të rishikimit të politikës së ashtuquajtur “public charge”.

Pas publikimit të vendimit të gjykatës, media iu drejtua Departamentit të Shtetit me një kërkesë për koment, duke pyetur nëse rishikimi i politikës për Shqipërinë dhe Kosovën ka përfunduar dhe nëse përpunimi i vizave të emigrimit do të rifillojë.

Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment deri në publikimin e këtij artikulli.

Advertisement