✦
Thinking ...
Connect with us

Sport

Nje portjer i ndare ne copa/ PSG, Juventus dhe Parma përfshihen në një marrëveshje trepalëshe

Paris Saint-Germain ka ndryshuar strategjinë për Zion Suzuki-n dhe është gati të bëjë një investim të madh për portierin japonez të Parma-s.

Sipas raportimeve nga “L’Equipe”, “Sky Sport Italia”, Fabrizio Romano dhe “Sportitalia”, klubi francez ka përmirësuar ofertën e tij në 35 milionë euro për kartonin e gardianit të Kombëtares së Japonisë.

Megjithatë, Suzuki nuk pritet të qëndrojë menjëherë në Paris. Plani i PSG-së është ta transferojë portierin për të ardhmen, por më pas ta huazojë për një sezon te Juventus-i, i cili prej kohësh kërkon një përforcim të ri në këtë repart.

Situata lidhet me faktin se PSG ka tashmë Lucas Chevalier për portën pasi e bleu pas largimit të Gianluigi Donnarumma-s, ndaj një huazim te një klub i madh si Juventus-i do të ishte zgjidhja ideale për zhvillimin e Suzuki-t.

Bardhezinjtë e kishin objektiv portierin japonez, por nuk kishin mundësi financiare për të përballuar një transferim prej 35 milionë eurosh. Formula e re u jep mundësinë të sigurojnë shërbimet e tij pa paguar menjëherë një shifër të tillë.

Negociatat kanë nisur prej kohësh, ndërsa ndryshimi kryesor duket se ka ardhur te struktura e ofertës. Propozimi fillestar i PSG-së ishte 28 milionë euro plus bonuse, ndërsa tani pjesa më e madhe e shumës do të jetë e garantuar.

Në këtë mënyrë, Suzuki pritet të mbetet në Serie A, duke kaluar nga Parma te Juventus-i, por me një të ardhme të lidhur me PSG-në, që e sheh si një investim afatgjatë.

Juventusi po zhvillon një merkato të fokusuar te forcimi i skuadrës dhe rritja e konkurrencës në të gjitha repartet, me drejtuesit bardhezinj që kanë ndërhyrë si në sulm ashtu edhe në organizimin e lojës.

Një nga lëvizjet më të rëndësishme është përforcimi i repartit ofensiv. Juventus ka investuar për lojtarë që mund t’i japin më shumë alternativa trajnerit, me afrime si Randal Kolo Muani dhe Jeff Ekhator, ndërsa janë bërë edhe lëvizje për të konsoliduar sulmin. Në listën e përforcimeve figurojnë gjithashtu emra si Lois Openda dhe Jeremie Boga, ndërsa klubi ka punuar për të mbajtur disa prej elementëve të rëndësishëm të grupit.

Në mesfushë, bardhezinjtë kanë rikthyer lojtarë nga huazimet dhe kanë riorganizuar alternativat në dispozicion. Rikthimi i Douglas Luiz, Arthur Melo dhe disa lojtarëve të tjerë nga huazimet është pjesë e strategjisë për të rritur numrin e opsioneve në dispozicion të stafit teknik.

Edhe reparti i mbrojtjes ka parë ndryshime, me afrimin e Zeki Çelikut si një alternativë në krahun e djathtë, ndërsa klubi ka menaxhuar largimet e disa lojtarëve që nuk ishin më në planet afatgjata.

Në krahun tjetër, Juventus ka realizuar edhe disa dalje të rëndësishme. Një nga largimet më të bujshme është ai i Dusan Vlahovic, ndërsa janë mbyllur edhe disa aventura të tjera me lojtarë si Timothy Weah dhe Facundo Gonzalez.

Strategjia e klubit duket e orientuar drejt një ekuilibri mes investimeve te lojtarët e rinj dhe ruajtjes së eksperiencës në grup. Objektivi kryesor mbetet ndërtimi i një skuadre më konkurruese, e aftë për të luftuar në Serie A dhe për të pasur një rol më të rëndësishëm në kompeticionet evropiane.

Me sezonin e ri që po afron, pritshmëritë janë të larta për trajnerin dhe drejtuesit, të cilët duhet të gjejnë kombinimin e duhur mes afrimeve të reja dhe lojtarëve që kanë mbetur pjesë e projektit bardhezi.

Advertisement