Aktualitet
Kërkoj falje për gabimet/ Lëkundja e themeleve të udhëheqjes së Infantinos, pas pendesës mbetet kreu i FIFA-s
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar falje për mënyrën se si u promovua projekti FIFA Forward Enterprise (FFE), por ka ruajtur besimin e drejtuesve të organizatës, të cilët konfirmuan mbështetjen e tyre gjatë mbledhjes së bordit në Rabat të Marokut.
Pas takimit, FIFA bëri të ditur se bordi drejtues dhe sekretari i përgjithshëm Mattias Grafstrom riafirmuan besimin ndaj Infantinos. Në një letër të përbashkët drejtuar 211 federatave anëtare, dy drejtuesit pranuan se gjatë prezantimit të projektit janë bërë gabime procedurale, kërkuan ndjesë dhe garantuan se situata të tilla nuk do të përsëriten.
Projekti FIFA Forward Enterprise synonte të siguronte investime private në kompeticionet kryesore të organizatës, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra. Sipas raportimeve, në kuadër të kësaj nisme ishte propozuar që secila federatë anëtare të përfitonte deri në 40 milionë dollarë nëse do ta mbështeste projektin.
Nisma hasi në kundërshtime të forta, veçanërisht nga UEFA, e cila akuzoi drejtimin e FIFA-s për mungesë transparence dhe deklaroi se kishte humbur besimin te Gianni Infantino, duke e cilësuar propozimin si një marrëveshje të zhvilluar pa konsultimet e nevojshme.
Rezerva pati edhe brenda vetë FIFA-s. Sekretari i përgjithshëm Mattias Grafstrom e përshkroi situatën si të papranueshme dhe theksoi se mënyra e menaxhimit të procesit kishte dëmtuar besueshmërinë e organizatës.
Në deklaratën zyrtare, FIFA pranoi se federatat anëtare nuk ishin përfshirë në mënyrën e duhur gjatë konsultimeve për projektin, duke pranuar se procesi duhej të ishte zhvilluar ndryshe. Megjithatë, organizata theksoi se nuk do të lejojë pretendime që, sipas saj, cenojnë pa baza integritetin dhe qeverisjen e FIFA-s.
Ndërkohë, FIFA hodhi poshtë raportimet se Gianni Infantino i kishte premtuar Marokut zhvillimin e finales së Kupës së Botës 2030 në këmbim të mbështetjes për projektin FFE. Organizata i cilësoi këto pretendime të pavërteta dhe mashtruese, duke theksuar se stadiumi që do të presë finalen e Botërorit 2030 do të përcaktohet vetëm në momentin e duhur, sipas procedurave zyrtare.