Connect with us

Bota

Vance paralajmëron Iranin: SHBA përdor çdo mjet për ndalimin e armëve bërthamore

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka deklaruar se Uashingtoni do të përdorë të gjitha mjetet diplomatike, ekonomike dhe ushtarake në përpjekje për të zgjidhur konfliktin me Iranin, duke theksuar se Teherani nuk do të lejohet të zhvillojë armë bërthamore.

Në një intervistë për “Fox News”, Vance tha se procesi i negociatave me Iranin përballet me vështirësi për shkak të ndarjeve të brendshme në strukturat politike të vendit. Sipas tij, brenda sistemit iranian ekzistojnë qëndrime të ndryshme, nga ata që kërkojnë përfundimin e konfliktit deri te grupime që mbështesin vazhdimin e përplasjeve.

Vance u shpreh se objektivi i SHBA-së është arritja e një zgjidhjeje që i shërben interesave amerikane dhe stabilitetit rajonal.

Pavarësisht qëndrimit të ashpër ndaj programit bërthamor iranian, zëvendëspresidenti amerikan tha se beson në mundësinë e një marrëveshjeje diplomatike, e cila sipas tij do të ndikonte edhe në stabilizimin e tregjeve globale të energjisë dhe uljen e çmimeve të naftës.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar më herët se preferon një zgjidhje përmes negociatave me Teheranin, por Uashingtoni ka bërë të qartë se opsioni ushtarak mbetet i hapur nëse përpjekjet diplomatike nuk sjellin rezultat.

Advertisement