Politike
Lamallari inspekton masat në Himarë: Siguria, prioritet gjatë sezonit turistik
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë inspektuar masat e marra për sigurinë gjatë sezonit turistik në Himarë.
Gjatë takimit me kryetarin e bashkisë, Vangjel Tavo, ministri Lamallari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes strukturave të policisë dhe pushtetit vendor për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe turistëve.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Ministria e Brendshme, gjatë katër muajve të fundit Policia ka ndërhyrë në 67 raste për të asistuar turistët, ndërsa mbi 200 persona janë ndihmuar në situata të ndryshme.
Lamallari bëri të ditur gjithashtu se kontrollet ndaj mjeteve lundruese janë intensifikuar. Sipas tij, janë verifikuar 4 220 mjete lundruese, rreth 21% më shumë se një vit më parë, ndërsa janë evidentuar dhe ndëshkuar 166 shkelje që lidhen me sigurinë në det.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se këtë sezon është aplikuar për herë të parë kontrolli kufitar në det për jahtet dhe mjetet lundruese nga Policia Kufitare, me qëllim lehtësimin e procedurave për vizitorët.