Kronike
Ekstradohet nga Kolumbia në Shqipëri “kimisti” i drogës në Frakull, i dënuar me 14 vite burg
Saimir Rosales Rodriguez, i njohur si “Kimisti”, është ekstraduar nga Kolumbia drejt Shqipërisë, ku do të vuajë dënimin me 14 vite burg të dhënë nga Gjykata e Posaçme GJKKO, pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme SPAK për laboratorin e kokainës në Frakull.
Rodriguez konsiderohet një nga personazhet kyç të grupit kriminal që operonte laboratorin e përpunimit të kokainës në Frakull.
Ai ishte larguar nga Shqipëria pas operacionit të autoriteteve shqiptare, por u arrestua në Ekuador në shtator të vitit 2025.
Sipas dosjes hetimore, shtetasi kolumbian kishte një rol qendror në procesin e përpunimit dhe ndarjes së lëndës narkotike në laboratorin e zbuluar gjatë operacionit antikokainë.
Hetimet treguan se kokaina fshihej në pleh artificial që vinte nga Kolumbia, ndërsa në Shqipëri kryhej procesi i ekstraktimit të lëndës narkotike.
Me ekstradimin e tij, Rodriguez do të vuajë në Shqipëri dënimin e formës së prerë prej 14 vitesh burg për përfshirjen në një nga laboratorët më të mëdhenj të përpunimit të kokainës të zbuluar ndonjëherë në vend.