Connect with us

Kronike

Pista e errët/ Vrasja e Edmond Sulës, kontrolle banesash në Bërxullë, disa të shoqëruar

Hetimet për ekzekutimin e Edmond Sulës vijojnë, ndërsa policia ka zgjeruar kontrollet në disa banesa dhe ambiente të ndryshme me qëllim zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se disa persona janë shoqëruar për verifikim, ndërsa hetuesit po analizojnë të gjitha pistat e mundshme që mund të çojnë në zbardhjen e motivit të vrasjes së 50-vjeçarit.

Edmond Sula u ekzekutua në mesnatën e 12 korrikut në Bërxullë të Tiranës. Një nga pistat që po shqyrtohet nga autoritetet lidhet me aktivitetin e tij si aksioner në një kompani të licencuar për kanabis mjekësor në Maqedoninë e Veriut.

Hetuesit dyshojnë se një konflikt i mundshëm i lidhur me këtë aktivitet mund të ketë pasur ndikim në ngjarje, por deri tani nuk ka prova konkrete që ta konfirmojnë këtë version. Për këtë arsye, autoritetet shqiptare pritet t’u drejtohen homologëve maqedonas për të marrë të dhëna më të detajuara mbi aktivitetin e viktimës dhe marrëdhëniet e tij të biznesit.

Paralelisht, policia po verifikon edhe pista të tjera, mes të cilave konflikte të mundshme personale, aktiviteti i dyshuar me fajde dhe përplasjet që mund të kenë lindur nga angazhimet e tij në fushën e shitblerjes së pronave.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Edmond Sula dyshohet se u jepte para me fajde në zonat e Vorës dhe Fushë-Krujës, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar nëse ndonjë prej këtyre konflikteve mund të ketë lidhje me atentatin.

Autoritetet vijojnë mbledhjen e provave dhe analizimin e të gjitha pistave për të zbardhur autorët dhe motivin e vrasjes.

Advertisement