Connect with us

Sport

DOSJA/ Bomba për të vrarë Messin dhe tentativa për t’iu afruar Ronaldos në hotel

Një dosje sigurie e publikuar nga mediat spanjolle ka zbuluar një sërë incidentesh dhe kërcënimesh të regjistruara gjatë zhvillimit të Kupës së Botës, ku mes personave të përmendur si objektiva të mundshëm kanë qenë edhe yjet e futbollit botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Dokumenti përfshin raste të ndryshme që kanë vënë në alarm autoritetet, duke nisur nga kërcënimet për sulme me eksplozivë deri te tentativa për të cenuar sigurinë e ekipeve dhe lojtarëve.

Një nga episodet më serioze lidhej me kombëtaren e Argjentinës. Para ndeshjes ndaj Jordanisë, një person telefonoi në aeroportin e Dallasit duke pretenduar se do të kryente një sulm në stadium me bomba artizanale dhe armë zjarri. Sipas raportimeve, në kërcënim u përmend edhe emri i Lionel Messit.

Një tjetër incident u regjistrua përpara sfidës Argjentinë–Egjipt, ku në rrjetet sociale u publikuan mesazhe kërcënuese nga një person që pretendonte se do të sulmonte yllin argjentinas brenda stadiumit.

Autoritetet ndërhynë edhe pas një alarmi tjetër për një bombë të mundshme në ambientet e stadiumit, duke kryer kontrolle të plota me specialistë antieksplozivë dhe njësi të specializuara.

Në dosje përmendet gjithashtu një rast që lidhet me Cristiano Ronaldon. Një punonjës i FIFA-s raportoi një situatë të dyshimtë, pasi një person kërkonte informacion mbi vendndodhjen e sulmuesit portugez gjatë turneut. Në një tjetër rast, një tifoz arriti të hynte në hotelin ku qëndronte Ronaldo dhe tentoi t’i afrohej në ambientet e brendshme të ndërtesës.

Dokumenti evidenton gjithashtu një numër të lartë kërcënimesh ndaj zyrtarëve të ndeshjeve. Arbitri François Letexier raportohet se ka marrë mijëra mesazhe kërcënuese pas një sfide mes Argjentinës dhe Egjiptit, ndërsa edhe pjesëtarë të sistemit VAR janë përballur me presione dhe kërcënime.

Përveç çështjeve të sigurisë fizike, disa futbollistë janë përballur edhe me sulme online, përfshirë komente raciste dhe kërcënime pas episodeve të diskutueshme gjatë ndeshjeve. Kylian Mbappé ishte një prej emrave të përfshirë në këto incidente.

Advertisement