Connect with us

Kronike

“Humba gjithçka”/ Deklarata e trishtë e shqiptarit që humbi në aksident gruan me djalin

Një familje me origjinë shqiptare në Greqi është përfshirë nga një tragjedi e rëndë pas një aksidenti rrugor në zonën e Serres, ku humbën jetën një 43-vjeçare dhe djali i saj 21-vjeçar.

Bashkëshorti i gruas dhe babai i të riut ka rrëfyer momentet e dhimbshme pas humbjes së dy familjarëve. Ai tha se nëna dhe djali ishin nisur për në punë kur ndodhi aksidenti fatal.

“Humba edhe gruan edhe fëmijën. Ata po shkonin në punë, nuk e di çfarë ndodhi, humba gjithçka”, u shpreh ai për mediat greke.

Ngjarja ndodhi në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, pranë Paleokomit, rreth orës 07:30 të mëngjesit. Automjeti me të cilin udhëtonin nëna dhe djali u përplas ballë për ballë me një kamion, duke shkaktuar vdekjen e tyre në vendngjarje.

Shoferi 56-vjeçar i kamionit, i cili pësoi dëmtime të lehta, ka deklaruar se po lëvizte në korsinë e tij me shpejtësi rreth 75–80 km/orë, kur automjeti përballë humbi kontrollin dhe kaloi në drejtimin e kundërt.

Ai tha se tentoi të shmangte përplasjen, por nuk arriti ta evitonte. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit.

Familja shqiptare jetonte prej vitesh në Paleokomi dhe ishte e integruar në komunitetin lokal. Nëna dhe djali punonin në të njëjtën kompani dhe ishin nisur drejt vendit të punës kur ndodhi përplasja fatale.

Pas ngjarjes, babai dhe vajza e familjes mbetën përballë humbjes së dy njerëzve të tyre më të afërt. Hetimet për dinamikën e aksidentit vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha provat për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Advertisement