Kronike
“I forti i Dibrës” sillet nga Italia, dosja me vrasje, atentat dhe dhunë ndaj policisë
Fadil Tërnova, 38 vjeç, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, ku do të përballet me disa procedime penale për akuza të rënda.
Sipas autoriteteve, ai ishte shpallur në kërkim për tre çështje të ndryshme, ku përfshihen akuzat për vrasje me dashje, mbetur në tentativë, goditje për shkak të detyrës dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Referuar dosjes hetimore, në vitin 2024 ndaj Tërnovës u caktua masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, pasi dyshohet se në aksin Bulqizë–Tiranë tentoi të vriste me armë zjarri shtetasin Afrim Peti, pas një konflikti verbal.
Ai akuzohet gjithashtu se në vitin 2023, në bashkëpunim me persona të tjerë, ushtroi dhunë ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Bulqizës, për ngjarje që është proceduar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Sipas të dhënave zyrtare, Tërnova rezulton edhe i dënuar në vitin 2018 me dy muaj burg për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, dënim që, sipas autoriteteve, nuk është ekzekutuar.
Emri i tij është përmendur edhe në çështje të mëparshme penale, përfshirë një plagosje të rëndë në vitin 2009 dhe një dënim të dhënë në vitin 2013 për vrasjen e biznesmenit të kromit, Shefqet Shehu.
Pas mbërritjes në Shqipëri, 38-vjeçari iu dorëzua autoriteteve kompetente, ndërsa pritet të përballet me proceset gjyqësore për akuzat që rëndojnë ndaj tij.