Connect with us

Sport

Gjimshiti drejt fundit të aventurës te Atalanta, Arabia Saudite e pret me kontratë milionëshe

Një kapitull i rëndësishëm në karrierën e Berat Gjimshitit duket se po shkon drejt fundit. Kapiteni i Kombëtares shqiptare është shumë pranë largimit nga Atalanta, pas gati një dekade me fanellën zikaltër, për të nisur një aventurë të re në Arabinë Saudite.

Sipas raportimeve, mbrojtësi 33-vjeçar ka arritur marrëveshje me klubin Al Diriyah, ndërsa mungon vetëm zyrtarizimi i transferimit. Gjimshiti ndodhej në vitin e fundit të kontratës me Atalantën dhe oferta e ardhur nga Arabia Saudite ka qenë vendimtare për të ndryshuar destinacion.

Klubi italian pritet të përfitojë rreth 3 milionë euro nga shitja e kartonit të mbrojtësit shqiptar, ndërsa vetë lojtari do të nënshkruajë një kontratë 1+1, me një pagë që raportohet të arrijë 4 milionë euro në sezon.

Ky transferim do ta rendiste Gjimshitin mes futbollistëve shqiptarë më të paguar në nivel klubesh dhe do t’i jepte fund një historie të suksesshme me Atalantën, skuadër ku u shndërrua në një prej shtyllave të mbrojtjes dhe fitoi besimin e trajnerëve e tifozëve.

Nëse marrëveshja zyrtarizohet, kapiteni kuqezi do të nisë një sfidë të re në futbollin arab, duke mbyllur një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij në elitën e futbollit italian.

Advertisement