Connect with us

Bota

Përplasja Iran-SHBA në tehun e thikës/ Pezeshkiani refuzon lëshime për Trump-in

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka përcjellë një mesazh të dyfishtë në mes të tensioneve me Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se Teherani nuk kërkon luftë apo zgjerim territorial, por njëkohësisht nuk do të tërhiqet nga forcimi i kapaciteteve të tij mbrojtëse.

Pezeshkiani tha se politika e Iranit është e orientuar drejt garantimit të sigurisë dhe zhvillimit të aftësive që, sipas tij, janë të nevojshme për mbrojtjen e vendit. Ai theksoi se Teherani nuk ka ambicie për të zgjeruar territorin, por nuk pranon të heqë dorë nga e drejta për t’u mbrojtur.

Presidenti iranian përsëriti gjithashtu akuzat e Teheranit ndaj Washingtonit, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë përdorur bazat ushtarake në vendet e Gjirit për të kryer sulme ndaj Iranit.

Sipas Pezeshkianit, një tjetër objektiv i Washingtonit është krijimi i përçarjeve mes Iranit dhe vendeve fqinje të rajonit. Megjithatë, ai vuri në dukje se Teherani ka arritur të zgjidhë një pjesë të konsiderueshme të problemeve me fqinjët e tij dhe se marrëdhëniet rajonale kanë shënuar përmirësime.

Mesazhi i presidentit iranian duket se synon të lërë të hapur edhe derën e diplomacisë. Pezeshkiani deklaroi se nëse ndalen presioni dhe kërcënimet ndaj Iranit, nuk do të ketë më arsye që tensionet të vazhdojnë.

Në këtë mënyrë, Teherani po përpiqet të përcjellë njëkohësisht dy mesazhe: nuk kërkon një përshkallëzim të ri ushtarak, por as nuk pranon të bëjë lëshime mbi kapacitetet që i konsideron thelbësore për sigurinë e tij.

Deklarata vjen në një periudhë të ndjeshme për marrëdhëniet Iran–SHBA, ku çdo sinjal nga të dyja palët mund të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë e rikthimit të dialogut ose në përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Advertisement