Connect with us

Aktualitet

Fushë-Arrëzi ngrihet kundër hartës së re: Bashkia nuk do të shkrihet

Banorët e Fushë-Arrëzit kanë protestuar sërish kundër propozimit për reformën e re administrativo-territoriale, që parashikon bashkimin e Bashkisë Fushë-Arrëz me atë të Pukës.

Protestuesit kundërshtojnë shkrirjen e bashkisë dhe kërkojnë që vendimmarrja për të ardhmen e njësisë vendore të marrë në konsideratë nevojat e komunitetit dhe shërbimet që u ofrohen banorëve.

Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues politikë të opozitës, mes tyre bashkëkryetari opozitar i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, deputeti Gjin Gjoni dhe kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri. Ky i fundit deklaroi se bashkia do të kundërshtojë propozimin dhe se nuk do të pranojë shkrirjen e saj.

Kundër bashkimit u shprehën edhe kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi, dhe kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj. Ata kërkuan që reforma të mos kufizohet vetëm te ndryshimi i kufijve administrativë, por të shqyrtojë edhe kompetencat dhe shërbimet që ofrohen në nivel vendor.

Në protestë mori pjesë gjithashtu Pavlin Luli, ish-kandidat i Partisë Socialiste për deputet në këtë zonë, i cili kritikoi propozimin dhe bëri thirrje për kundërshtimin e tij.

Banorët kërkuan që procesi të shoqërohet me dëgjesa publike dhe që shqetësimet e komunitetit të merren në konsideratë përpara marrjes së vendimit. Në vijim, ata kanë nisur edhe mbledhjen e firmave për një peticion kundër draftit dhe paralajmëruan vijimin e protestave.

Sipas të dhënave të Censusit të cituara në draft, Bashkia Fushë-Arrëz ka rreth 4,878 banorë, ndërsa Bashkia Pukë rreth 6,222 banorë. Nëse propozimi miratohet, dy bashkitë do të funksionojnë si një njësi e vetme vendore.

Advertisement