Connect with us

Bota

Përplasje e fortë në BE/ Italia dhe Spanja në konflikt për emigracionin

Përplasja mes Spanjës dhe Italisë për menaxhimin e fluksit të emigrantëve po përshkallëzohet, teksa Madridi ka vendosur rikthimin e kontrolleve kufitare për udhëtarët që mbërrijnë nga Italia me avionë dhe anije.

Masat kanë hyrë në fuqi në mesnatë dhe do të qëndrojnë aktive deri më 7 shtator. Ato parashikojnë kontrolle të pasaportave, shtetësisë dhe vizave për personat që mbërrijnë nga Italia.

Vendimi i Spanjës vjen një javë pasi Roma vendosi kontrolle të ngjashme për personat që udhëtojnë nga Spanja drejt Italisë. Qeveria italiane argumenton se masat lidhen me rrezikun që emigrantët që kanë mbërritur në Ceuta të tentojnë të zhvendosen drejt territorit italian.

Madridi e ka kundërshtuar këtë argument, duke e cilësuar si të pabazuar në fakte, ndërsa Roma ka refuzuar kërkesën e Spanjës për heqjen e kontrolleve, duke deklaruar se nuk pranon “ultimatume”.

Në qendër të përplasjes është situata në Ceuta, ku javën e kaluar dhjetëra mijëra emigrantë tentuan të kalonin nga Maroku drejt enklavës spanjolle. Shumica e tyre u kthyen në ditët pasuese, ndërsa rreth 100 persona raportohet se humbën jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin.

Ndërkohë, rreth 1,400 të mitur vijojnë të ndodhen në Ceuta, ndërsa autoritetet spanjolle po monitorojnë edhe thirrjet në rrjetet sociale për një tjetër kalim masiv të emigrantëve në mesin e gushtit.

Përplasja mes Madridit dhe Romës rikthen në qendër të vëmendjes krizën e migracionit brenda Bashkimit Evropian, ndërsa Ceuta dhe Melilla mbeten dy prej pikave më të ndjeshme të kufirit të jashtëm evropian në Afrikën e Veriut.

Advertisement