Aktualitet
Zjarri në Krujë/ Banorët rikthehen në shtëpi pas evakuimit, vijon monitorimi i zonës
Banorët e disa zonave të Krujës kanë nisur të rikthehen në banesat e tyre pas zjarrit që gjatë natës iu afrua zonave të banuara, magazinave dhe një pike të shpërndarjes së gazit.
Situata ka qenë më e vështirë në zonat Barabit dhe Lluban, ku flakët, të favorizuara nga era, janë përhapur në drejtim të banesave. Sipas të dhënave të raportuara, disa familje janë evakuuar përkohësisht nga banesat.
Banorët kanë rrëfyer vështirësitë e përjetuara gjatë natës dhe përpjekjet për të mbrojtur banesat e tyre.
“Mua shyqyr më shpëtuan fëmijët. Se çfarë ka qenë këtu mbrëmë, vetëm shpirti ynë e di. Dy djemtë i kam pasur mes flakësh. Nuk kam ecur dot prej flakësh, më kapën dhe më çuan poshtë. U tmerruan fëmijët”, tha një banore.
Një tjetër banor tregoi se flakët iu afruan banesës brenda pak minutash dhe se familjarët u larguan bashkë me fëmijët.
“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Për 5 minuta rrethoi të gjithë shtëpinë. Dolëm, nxorëm fëmijët. U mbush oborri me njerëz. Ka qenë një kaos i paparë. E gjithë lagjja u tmerrua”, deklaroi ai.
Në disa raste, banorët kanë përdorur mjete të improvizuara dhe ujë për të kufizuar përhapjen e flakëve pranë banesave.
“Vetëm me kova e mjete rrethanore kemi arritur të mbrojmë dy shtëpitë. Zjarrin e kishim ngjitur fare në banesë, deri sipër tjegullave. Brenda në shtëpi nuk kemi dëm”, tregoi një tjetër banor.
Sipas një tjetër dëshmie, banorët kanë përdorur edhe autobotë uji për të ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të flakëve.
Zjarri ka shkaktuar dëme në sipërfaqet përreth banesave, ndërsa sipas të dhënave të bëra publike, është dëmtuar një magazinë biznesi. Nuk raportohet për banesa të djegura.
Flakët janë afruar edhe pranë Spitalit të Krujës, duke sjellë evakuimin e pacientëve drejt Tiranës. Në disa zona është ndërprerë përkohësisht energjia elektrike.
Gjatë natës, në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar zjarrfikës, Forca të Armatosura dhe struktura të tjera të emergjencës. Në mëngjes kanë mbetur disa vatra aktive, të cilat janë trajtuar edhe nga ajri me helikopterë.
Për zjarrin në Krujë është arrestuar Qemal Berhami. Sipas policisë, ai dyshohet se kishte ndezur barishte pranë banesës së tij, ndërsa zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur në zonën përreth.
Ndërkohë, në Mallakastër vijojnë të jenë aktive dy vatra zjarri. Njëra është raportuar në zonën e Panahorit, me flakët që po përhapen në drejtim të Greshicës, ndërsa vatra tjetër ndodhet në zonën mes Drenijes në bashkinë Patos dhe Vloshit në bashkinë Roskovec.
Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në zonat e prekura për të kufizuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara.