Connect with us

Politike

Nxehet me shume debati/ Nga Ibri te Bashkimi Europian, mesazhi i forte i Tiranes per Beogradin

Tonet mes Shqipërisë dhe Serbisë duket se nuk po ulen. Pas deklaratave të njëpasnjëshme dhe akuzave të shkëmbyera mes palëve për çështjen e lumit Ibër dhe kërcënimin ndaj Kosovës, palët kanë zgjedhur te mos i qetësojnë raportet.

I fundit në reagimin e tij, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha vlerësoi mesazhin e fundit të Marko Gjuriçit, duke vlerësuar atë që e cilësoi si një frymë më të qetë në përmbyllje të deklaratës së tij.

“E vlerësoj frymën më të qetë të mbylljes së mesazhit të @markodjuric, sepse pikërisht aty qëndron e ardhmja e rajonit tonë: jo te kërcënimet dhe akuzat, por te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik”, deklaroi Hoxha.

Në qendër të përplasjes ka qenë edhe çështja e ujit dhe e lumit Ibër. Hoxha theksoi se uji nuk njeh kufij politikë dhe nuk duhet të përdoret si instrument presioni apo ndëshkimi.

“Uji është jetë. Ai nuk mban pasaportë, nuk lexon harta politike dhe nuk ndalet për të pyetur se në cilën anë të kufirit po rrjedh. Prandaj, shndërrimi i tij në një instrument ndëshkimi nuk është thjesht punë e dikujt tjetër”, tha ai.

Ministri pranoi se Ibri nuk rrjedh nëpër Shqipëri, por nënvizoi se Tirana do të ngrinte zërin edhe në rast se Serbia do të kërcënohej me ndërprerjen e ujit që rrjedh nga territori i një vendi tjetër.

“Shqipëria do të ngrinte zërin po aq fuqishëm. Jo sepse ai ujë do të përfundonte disi në Shqipëri, por sepse një kërcënim i tillë do të helmonte bashkëjetesën paqësore në këtë fqinjësi që ne të gjithë ndajmë”, u shpreh Hoxha.

Ai përcolli edhe mesazhin se “lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime”, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksionet dhe jo të ndajnë përgjegjësinë e vendeve të rajonit për paqen.

Duke iu referuar debatit për projektet “e Mëdha”, Hoxha tha se Shqipëria është e interesuar vetëm për një “Bashkim Evropian më të Madh”, që të përfshijë Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe pjesën tjetër të rajonit.

Ministri shprehu gjithashtu gatishmërinë për bashkëpunim mes shqiptarëve dhe serbëve, duke thënë se dyert dhe linjat e komunikimit mbeten të hapura për nisma konkrete mes palëve.

“Le të vazhdojmë me më shumë Evropë, më pak mitologji dhe më shumë arsye për ta parë të kaluarën tonë përmes syve të së ardhmes, në vend që ta shohim të ardhmen tonë përmes syve të së kaluarës”, deklaroi Hoxha.

Advertisement