Politike
Boom i turistëve francezë në Shqipëri/ Rama publikon shifrat: Rritje me 288.2 përqind
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot, më 12 gusht, një shkrim të medias franceze BFM Business, i cili i kushtohet rritjes së interesit të turistëve francezë për Shqipërinë.
Sipas të dhënave të cituara në artikull, rezervimet nga Franca drejt Shqipërisë janë rritur me 288.2% krahasuar me një vit më parë. Shkrimi e paraqet vendin si një destinacion që po fiton më shumë vëmendje në tregun turistik francez.
BFM Business analizon disa prej faktorëve që mund të kenë ndikuar në këtë rritje. Ndër elementet e përmendura është kostoja, pasi Shqipëria konsiderohet ende një destinacion relativisht më i përballueshëm në krahasim me vende të tjera të Mesdheut, si Greqia, Italia dhe Kroacia.
Artikulli sjell edhe shembuj të çmimeve për ushqimin dhe akomodimin, duke vënë në dukje diferencat mes Shqipërisë dhe disa prej destinacioneve rivale në rajon.
Një tjetër faktor i evidentuar është rritja e aksesueshmërisë. Sipas medias franceze, lidhjet ajrore me Tiranën janë shtuar, përfshirë linjat me kosto të ulët, ndërsa zhvillimi gradual i infrastrukturës ka lehtësuar lëvizjen e turistëve brenda vendit.
Në fokus është edhe oferta turistike e Shqipërisë, nga plazhet e jugut dhe veçanërisht zona e Ksamilit, deri te zonat malore, fshatrat tradicionalë dhe trashëgimia kulturore.
Shkrimi e lidh rritjen e turizmit edhe me përpjekjet e Shqipërisë për të menaxhuar këtë zhvillim përmes Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2030, e cila synon rritjen e të ardhurave nga sektori, përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ndërkohë, në postimin e tij, kryeministri Edi Rama ka vënë në dukje rritjen e rezervimeve nga turistët francezë, duke iu referuar analizës së BFM Business.
Artikulli citon gjithashtu të dhëna sipas të cilave Shqipëria priti mbi 12 milionë vizitorë ndërkombëtarë gjatë vitit 2025.