Politike
Rama sfidohet nga socialistet, cilat Bashki do te “zhduken” nga harta?
Ka përfunduar pas rreth 4 orësh e 30 minutash takimi i Kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive, i zhvilluar në Kuç të Vlorës. Në fokus të diskutimeve ishte reforma administrative-territoriale dhe mënyra e organizimit të njësive vendore.
Gjatë takimit, kryetarët e bashkive kanë paraqitur problematikat dhe sfidat me të cilat përballen në administrimin e njësive që drejtojnë. Diskutimet janë përqendruar edhe te ofrimi i shërbimeve publike dhe mundësitë për përmirësimin e funksionimit të administratës vendore.
Një pjesë e diskutimit i është kushtuar reformës territoriale, zbatimit të saj ndër vite dhe nevojës për një organizim që, sipas pjesëmarrësve, të mundësojë administrim më efikas të bashkive.
Në takim raportohet se kanë marrë pjesë rreth 20 kryetarë bashkish, mes tyre drejtuesit e Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Beratit, Vlorës, Gjirokastrës, Klosit, Rrogozhinës dhe Dimalit.
Në diskutime janë përfshirë edhe përfaqësues të bashkive të vogla që kanë shprehur kundërshtime ndaj propozimeve për bashkimin ose shkrirjen e tyre në kuadër të reformës së re territoriale.
Takimi në Kuç është pjesë e procesit të konsultimit për ndryshimet e propozuara në organizimin administrativ të vendit, ndërsa diskutimet me bashkitë dhe komunitetet pritet të vijojnë në fazat e ardhshme.