Politike
Territorialja ‘ndez’ gjakrat, Rama përzë nga mbledhja kryetaren e Bashkisë së Dimalit
Takimi i Kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive në Kuç të Vlorës është shoqëruar me debate të forta lidhur me reformën administrative-territoriale dhe propozimin për bashkimin e disa njësive vendore.
Sipas raportimeve, diskutimet kanë marrë tone të ashpra veçanërisht me drejtuesit e bashkive Poliçan, Dimal, Selenicë dhe Divjakë, të cilët kanë shprehur kundërshtime ndaj shkrirjes së njësive që drejtojnë.
Një nga përplasjet raportohet të ketë ndodhur mes Ramës dhe kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Sipas raportimeve nga takimi, kryeministri i është shprehur Zotkajt se nuk duhej të ishte i pranishëm në mbledhje dhe ka kritikuar protestat e zhvilluara në Poliçan, përfshirë djegien e teserave të Partisë Socialiste.
Zotkaj, i cili ka kundërshtuar publikisht bashkimin e Poliçanit, ka mbrojtur qëndrimin e tij duke argumentuar se ndryshimi i statusit të bashkisë mund të ndikojë në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Debate ka pasur edhe me kryetaren e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj. Sipas raportimeve, diskutimi mes saj dhe Ramës është tensionuar pas një shkëmbimi replikash lidhur me rolin dhe kompetencat e pushtetit vendor, pas së cilit Memaj është larguar nga mbledhja.
Edhe drejtuesit e Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea, kanë kundërshtuar propozimin për shkrirjen e bashkive të tyre dhe kanë paraqitur argumentet e tyre gjatë diskutimit me Ramën dhe bashkëkryetarin e reformës, Arbjan Mazniku.
Një prej çështjeve të ngritura nga kryebashkiakët lidhet me kriteret e përdorura për përcaktimin e bashkive që do të bashkohen. Sipas tyre, duhet të ketë një vlerësim të njëjtë për të gjitha njësitë vendore dhe ata kanë kërkuar shpjegime për përfshirjen ose jo të bashkive të tjera në hartën e propozuar.
Nga ana e tij, Rama ka argumentuar se drejtuesit vendorë nuk duhet të përdorin kundërshtimin ndaj reformës për të nxitur komunitetet kundër ndryshimeve të propozuara.
Mbledhja, e cila zgjati rreth katër orë, ishte e përqendruar te reforma territoriale. Në takim morën pjesë drejtues të bashkive që preken nga ndryshimet e propozuara, si dhe kryetarë të bashkive qendër qarku. Ndërkohë, disa bashki, mes tyre Maliqi dhe Këlcyra, nuk kanë shprehur kundërshtime ndaj mënyrës së parashikuar në hartën e re.
Procesi mbetet në fazën e konsultimit dhe kundërshtimet e bashkive pritet të jenë pjesë e diskutimeve përpara përcaktimit përfundimtar të hartës së re administrative-territoriale.