Politike
Rama E SULMOI për djegien e teserave të PS, kryebashkiaku i Poliçanit: Mosmirënjohës…
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të mërkurë në Kuç të Vlorës një takim me rreth 20 kryetarë bashkish, në kuadër të konsultimeve për reformën e re administrative-territoriale.
Takimi, i cili zgjati më shumë se katër orë, është shoqëruar me debate lidhur me propozimin për bashkimin e disa njësive vendore. Një prej përplasjeve raportohet të ketë ndodhur mes
Kryeministrit Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj.
Zotkaj ka mbajtur të njëjtin qëndrim që ka shprehur edhe më herët, duke kundërshtuar shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit dhe duke argumentuar se po përfaqëson qëndrimin e banorëve të qytetit.
Sipas burimeve të cituara nga mediat, gjatë diskutimit Rama i ka kujtuar Zotkajt protestën e zhvilluar në Poliçan, ku disa mbështetës të Partisë Socialiste dogjën kartat e anëtarësisë në shenjë kundërshtimi ndaj reformës.
“Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Poliçani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie”, mësohet të ketë deklaruar Rama.
Zotkaj i është përgjigjur duke mbrojtur qëndrimin e qytetarëve dhe duke e lidhur protestën me pakënaqësinë ndaj vendimit të Partisë Socialiste për shkrirjen e bashkisë.
Pas shkëmbimit të replikave, sipas burimeve të raportuara për mediat, kryebashkiaku i Poliçanit është larguar nga mbledhja.
Kundërshtimet në Poliçan nisën pas propozimit të Partisë Socialiste për hartën e re administrative-territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Sipas propozimit, Poliçani do të bashkohej me Bashkinë e Beratit.
Më 30 korrik, qindra banorë protestuan në Poliçan kundër ndryshimit të statusit të bashkisë, me thirrje si “Mos prekni Poliçanin” dhe “Poliçani kundër shpopullimit”. Gjatë protestës, disa prej pjesëmarrësve dogjën edhe kartat e anëtarësisë së Partisë Socialiste.
Procesi i reformës territoriale vijon të jetë në fazën e konsultimit, ndërsa kundërshtimet e bashkive dhe komuniteteve pritet të jenë pjesë e diskutimeve përpara miratimit të hartës së re.