Kronike
Me pistoletë dhe municion në çantë, arrestohet 21-vjeçari
Një 21-vjeçar është arrestuar në Elbasan pasi u kap duke mbajtur një armë zjarri pa leje.
Sipas Policisë, informacioni për personin që dyshohej se lëvizte i armatosur është siguruar gjatë veprimeve operative pranë parkut “Aqif Pasha”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan ndërhynë në kuadër të operacionit të koduar “Indicia”, duke bërë të mundur ndalimin e të dyshuarit, me inicialet J. S., banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit të çantës së tij, efektivët gjetën një pistoletë dhe municion, të cilat, sipas Policisë, 21-vjeçari i posedonte pa leje.
Materialet procedurale lidhur me rastin i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.