Connect with us

Kronike

Sherri mes 10 të rinjve që solli përplasje me armë, vihen në pranga disa prej tyre

Policia ka zbardhur rrethanat e një konflikti të ndodhur rreth mesnatës së 11 gushtit në rrugën “Gjolekë Kokona” në Tiranë, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri. Pas hetimeve, katër persona janë arrestuar, katër të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa dy persona janë shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit të koduar “Situata”, policia arrestoi R. Z., 28 vjeç, i dyshuar për përkrahje të autorit, moskallëzim krimi dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Në pranga u vu edhe K. K., 31 vjeç, i dyshuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe përkrahje të autorit të krimit. Ndërkohë, S. F., 24 vjeç, dhe R. F., 34 vjeç, u arrestuan për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Katër persona të tjerë, të cilët sipas policisë kanë qenë të përfshirë në konflikt, po procedohen në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.

Në kërkim janë shpallur F. F., 32 vjeç, i dyshuar për “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, si dhe C. B., 32 vjeç, i dyshuar për moskallëzim dhe përkrahje të autorit të krimit.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se nisi pasi R. F. ka fyer një 17-vjeçar. Pas kësaj, i mituri dhe disa persona të tjerë janë përfshirë në një konflikt fizik me R. F., vëllain e tij S. F. dhe persona të tjerë që ndodheshin me ta.

Më vonë, 17-vjeçari dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete pranë banesës së dy vëllezërve. Sipas policisë, nga banesa dyshohet se F. F. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve. Nga të shtënat nuk raportohet të ketë persona të dëmtuar.

Policia vijon kërkimet për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe mbledhjen e provave për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Advertisement