Politike
Meta reagon nga qelia/ Akuza të forta për menaxhimin e zjarreve dhe fondet publike
Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia lidhur me situatën e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si, sipas tij, janë menaxhuar kapacitetet për përballimin e situatave të zjarreve. Ai pretendon se investimet në sektorin zjarrfikës nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe se fondet publike janë orientuar drejt shpenzimeve të tjera.
Postimi i Metës:
Priska, kurora e gjelbër e Tiranës, po shkrumbohet nga flakët. Po digjen pyje e ullishte, ndërsa dhjetëra shtëpi janë nën kërcënimin e zjarrit.
Por Priska nuk është e vetmja. Flakët po përhapen në të katër anët e vendit, në Krujë, Mallakastër, Përmet, Dibër, Patos, Shkodër, Devoll dhe në zona të tjera të vendit, duke vënë në rrezik banesa dhe shkrumbuar pyje dhe pasuri të qytetarëve.
Dhe ndërsa emergjencat civile shtohen çdo vit, fondet për përballimin e tyre pakësohen. Në vend që të investohet për kapacitete reale, mjete moderne, pajisje dhe avionë zjarrfikës, paratë publike digjen për incenratorë që nuk ekzistojnë si ai i Tiranës, apo për cirk si me Kanye West dhe propagandë.
Ndërsa për ditë me radhe qytetarët janë braktisur në luftën me zjarret, po njësoj edhe zjarrfikësit në vijën e parë me pajisje të vjetëruara, paga qesharake dhe pa mbështetjen që meritojnë.
Edi Rama e ka vilën në Surrel, por nuk arrin të menaxhojë dot një zjarr vetëm pak kilometra më larg, në Priskë.
Nuk fik dot zjarrin në ‘oborrin’ e shtëpisë së vet, por kërkon të na bindë se me projektin e tij për shkrirjen e 15 bashkive do të menaxhojë më mirë emergjencat në të gjithë vendin, e sidomos në Fushë-Arrëz, Memaliaj, Poliçan, Selenicë apo Maliq, ku ka masive të tëra me pyjedh e që zjarrfikësve do u duhen orë për të shkuar në terren.
Mirënjohje dhe respekt për zjarrfikësit, që po përballen me flakët në vijën e parë të betejës. Ata po bëjnë detyrën e tyre, edhe kur shteti i ka braktisur e nuk u jep mjetet, pajisjet dhe mbështetjen që u nevojitet.
Sot qytetarët janë përballë dy zjarreve: flakëve dhe mungesës së shtetit.
Kur shteti i braktis dhe i lë njerëzit në mëshirë të fatit, përgjegjësia është të solidarizohen, të vetëorganizohen dhe të mos e braktisin njëri-tjetrin, por të bëjnë gjithçka që munden për të mbrojtur jetën, shtëpitë dhe pasuritë e tyre.
Sepse Edi Rama dhe shteti është me pushime. Flakët jo.