Connect with us

Bota

Kupolë nxehtësie 42 gradë Celsius/ Europa përvëlohet nga vala e pestë e të nxehtit afrikan

Pjesë të mëdha të Evropës janë përfshirë nga një tjetër valë intensive të nxehti, e pesta që godet kontinentin që prej muajit maj, duke sjellë temperatura mbi 40 gradë Celsius dhe duke rritur ndjeshëm rrezikun nga zjarret.

Sipas New York Times, moti ekstrem ka sjellë paralajmërime për temperatura të larta, evakuime për shkak të zjarreve, kufizime të forta të përdorimit të ujit dhe mbledhje emergjente të qeverive.

Vala e të nxehtit po shkaktohet nga një sistem i qëndrueshëm presioni të lartë, i njohur edhe si “kupolë nxehtësie”, i pozicionuar mbi zemër të kontinentit.

Temperaturat kanë arritur tashmë në 40 gradë Celsius ose më shumë në pjesë të Evropës Perëndimore, ndërsa nxehtësia pritet të shtrihet drejt Evropës Qendrore.

Në Spanjë, temperaturat mund të arrijnë deri në 42 gradë Celsius, ndërsa Franca pret temperatura deri në 40 gradë.

Në Britani termometri mund të shënojë 38 gradë, ndërsa vera pritet të bëhet më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në vend për temperaturën mesatare.

Italia gjithashtu po përballet me temperatura ekstreme, me zona të Sardenjës, Campania-s, Basilicata-s, Calabria-s, Umbria-s dhe Sicilisë që mund të arrijnë 40 gradë Celsius.

Por alarmi nuk lidhet vetëm me temperaturat.

Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje paralajmëron se një zonë e gjerë e Evropës Qendrore dhe Lindore, nga rajoni alpin përmes Polonisë dhe deri në Ballkan, pritet të mbetet në kushte “shumë ekstreme” për zjarre të paktën deri javën e ardhshme.

Pasojat ekonomike dhe infrastrukturore po bëhen gjithashtu të dukshme. Ministrja franceze përgjegjëse për çështjet mjedisore, Monique Barbut, vlerësoi se valët e të nxehtit të kësaj vere mund t’i kushtojnë Francës 10 deri në 15 miliardë euro, megjithëse e cilësoi shifrën si një vlerësim paraprak.

Në Rumani, nivelet e ulëta të ujit në Danub kanë detyruar autoritetet të nisin mbylljen e kontrolluar të një prej dy njësive të centralit bërthamor Cernavoda.

Në Britani, sindikata më e madhe e infermierëve deklaroi se personeli shëndetësor po punon në “kushte të pamundura dhe çnjerëzore” në spitale pa ajër të kondicionuar apo ventilim të përshtatshëm.

Edhe prodhuesit francezë të verës po nxitojnë të vjelin rrushin përpara kohe për shkak të temperaturave. Një vjelje përpara 15 gushtit është cilësuar si “e paprecedentë” në zonën e Alsace-s.

Shkencëtarët vlerësojnë se valët e të nxehtit në botë po bëhen përgjithësisht më të nxehta, më të shpeshta dhe më të gjata, ndërsa Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër.

Advertisement