Connect with us

Bota

Përplasje SHBA-Izrael për Libanin/ Trump kërkon tërheqjen: Mbani fjalën e dhënë

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Izraelit të respektojë marrëveshjen për Libanin dhe të mos mbajë një prani të përhershme ushtarake në jug të vendit.

Reagimi i Uashingtonit vjen pas deklaratave të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Izrael Katz, i cili tha se trupat izraelite do të qëndrojnë në zonat e sigurisë në Liban.

Sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të nënshkruar më 26 qershor, Izraeli kishte rënë dakord të tërhiqej nga territoret që kontrollon aktualisht në jug të Libanit.

Në këmbim, qeveria libaneze duhet të ndërmarrë hapa për çarmatosjen e Hezbollahut dhe forcimin e ushtrisë libaneze si forca e vetme e armatosur në vend.

Por tensionet janë rikthyer pas deklaratave të ministrit Katz.

Gjatë një vizite në zonat e kontrolluara nga Izraeli, ai deklaroi se ushtria izraelite do të qëndrojë në zonat e sigurisë në Liban, Siri dhe Gaza.

Katz tha gjithashtu se kishte urdhëruar ushtrinë të përgatitej për një qëndrim afatgjatë dhe theksoi se Izraeli nuk do të tërhiqej nga ajo që e cilëson si “zonë sigurie”.

Përballë kësaj deklarate ka reaguar Uashingtoni.

Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha gazetarit të Axios, Barak Ravid, se Shtetet e Bashkuara presin që të gjitha palët të respektojnë marrëveshjen e arritur.

Sipas zyrtarit amerikan, Izraeli ka deklaruar qartë se nuk ka pretendime territoriale në Liban dhe një prani e përhershme ushtarake izraelite në jug të vendit do të ishte në kundërshtim me angazhimet e marra në marrëveshje.

Ndërkohë, sipas të dhënave të cituara në raportime, Izraeli kontrollon aktualisht rreth 600 kilometra katrorë në jug të Libanit, përfshirë edhe zona në veri të lumit Litani.

Debati për tërheqjen izraelite vjen në një moment të ndjeshëm edhe për marrëdhëniet në rajon.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lënë më herët të hapur mundësinë e një kontrolli afatgjatë, madje edhe të aneksimit të zonave të caktuara në jug të Libanit.

Deklaratat e tij për pretendimin se disa fshatra të krishtera në Liban kanë kërkuar aneksimin nga Izraeli janë kundërshtuar nga drejtues lokalë të krishterë, të cilët i kanë cilësuar këto pretendime si të sajuara dhe të shkëputura nga realiteti.

Ndërkohë, zhvillimet në Liban lidhen edhe me përpjekjet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sipas raportimeve të cituara, një memorandum mirëkuptimi i arritur më 17 korrik parashikonte ndërprerjen e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Megjithatë, deklaratat e fundit nga qeveria izraelite dhe qëndrimi i trupave në jug të Libanit tregojnë se tensionet në rajon mbeten të larta dhe se zbatimi i marrëveshjeve të arritura vijon të jetë një çështje e debatueshme.

Advertisement