Politike
Korreshi publikon videon me thesin e plehrave në krah: E ka sjellë Bashkia e Lushnjës për Vit të Ri
Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, ka zgjedhur sërish ironinë për të denoncuar problemet me menaxhimin e mbetjeve në Lushnjë. Këtë herë ai është shfaqur me një thes gjigant plehrash në krah, duke e përdorur situatën si pjesë të një videoje për të ngritur akuza ndaj Bashkisë së Lushnjës.
Në video, teksa përpiqet të ngrejë thesin e rëndë, Korreshi ironizon duke thënë: “E ka sjellë Bashkia për Vit të Ri. Ngrije thesin, ngrije!”.
Më tej, deputeti pretendon se situata me mbetjet është përsëritur në një tjetër zonë të qytetit dhe se ato po hidhen e digjen pranë një gardhi.
“Rikthehemi pas disa muajsh për të parë situatën, sepse pamë që Bashkia po hedh prapë. Këta kanë gjetur një gardh tjetër ku të hedhin e djegin plehra”, shprehet Korreshi.
Duke treguar zonën ku, sipas tij, po digjen mbetjet, deputeti ngre shqetësimin për pasojat e djegies së tyre. “Ja, shikoni si i djegin. Shikoni materialet kancerogjene, shikoni sa janë djegur këtu. Ja si i djeg Bashkia. Çfarë mund t’i thuash kësaj?”, shprehet ai, duke reaguar me ironi ndaj situatës.