Politike
Berisha për median britanike: Kauza e protestës është edhe e jona, Rama sillet si sulltan
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një intervistë për median britanike UnHerd, ku ka folur për situatën politike në Shqipëri, protestat e opozitës dhe përplasjen e tij me kryeministrin Edi Rama.
Berisha e ka cilësuar situatën politike në vend si shqetësuese, duke akuzuar qeverinë për përqendrim të madh të pushtetit. Sipas tij, protestat kundër qeverisë përfaqësojnë një kauzë të drejtë dhe opozita i mbështet ato.
“Kauza e tyre është e drejtë. Është edhe kauza jonë”, është shprehur Berisha, duke shtuar se opozita respekton protestuesit dhe nuk synon të marrë drejtimin e lëvizjes së tyre.
Në intervistë, kreu i opozitës ka ngritur gjithashtu akuza të forta për ndikimin e parave nga aktivitetet kriminale në ekonominë shqiptare. Sipas Berishës, fluksi i parave të paligjshme ka deformuar ekonominë dhe është përdorur për pastrimin e parave përmes projekteve të mëdha të ndërtimit.
Berisha ka qenë i ashpër edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për përqendrim të pushtetit.
“Edi Rama e trajton Shqipërinë si çifligun e tij personal”, është shprehur ai, duke shtuar se kryeministri sillet “si një sulltan në një sulltanat të shekujve të kaluar”.
Berisha ka folur edhe për çështjen e sanksioneve ndaj tij. Ai ka përmendur vendimin e administratës Trump për heqjen e masave që kufizonin hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka kritikuar sanksionet britanike, të cilat, sipas tij, janë të padrejta.
Në intervistë, Berisha ka mohuar akuzat për korrupsion dhe ka përsëritur pretendimet e tij se ndaj tij është zhvilluar një fushatë politike.