Politike
Berisha: PD premton tolerancë zero kundër krimit dhe korrupsionit
Kreu i Partisë Demokartike Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale është shprehur se gjendja në të cilën ndodhet qeveria shqiptare është dramatike, por për tu normalizuar ekziston një zgjidhje.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se Partia Demokratike do të ketë si prioritet luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai argumentoi se brenda Policisë së Shtetit ka ende punonjës të aftë dhe të gatshëm të luftojnë grupet kriminale dhe kartelët e drogës, por për këtë gjë ata nuk duhet të pengohen nga politika.
Sa i përket korrupsionit, Berisha akuzoi qeverinë e Ramës për përdorim të pushtetit në favor të familjarëve dhe për abuzime me tenderët dhe fondet publike, duke përmendur edhe AKSHI-n. Ai shtoi se PD ka një platformë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila parashikon transparencë të plotë, publikimin online të procedurave dhe ndëshkim më të ashpër për korrupsionin.
Prishila Sterkaj: Korrupsion galopant, borxh deri në fyt, institucione të shkatërruara, arsimi dhe kultura të shkatërruara. Si mund t’ia dalë qeveria e ardhshme me këtë katastrofë shtetërore, pas gjithë këtyre viteve të qeverisjes së Edi Ramës?
Sali Berisha: Gjendja është vërtet dramatike. Por, ju siguroj se ka absolutisht zgjidhje. Dhe kjo zgjidhje qëndron në zero tolerancën ndaj krimit të organizuar dhe lidhjeve të krimit me politikën. PD e ka faktuar, dhe duhet t’u rikujtoj se në atë periudhë, të shumtë ishin ata që më pyesnin se ku do i gjeni ju njerëzit për zero tolerancë.
Atëherë kam pasur një përgjigje dhue sot kam po atë përgjigje: njerëzit që do zbatojnë zero tolerancë ndaj bandave, klrimit, karteleve të drogës, organizatave kriminale, gjenden përsëri brenda policisë së shtetit, e cila ndonëse ka një shkallë ndër më të lartat të inkriminimit, ka prapëseprapë burra dhe gra të ndershëm, trima dhe guximtarë, që mezi presin urdhrin për zbatimin e ligjit. Që janë të gatshëm në një kohë rekord t’i vendosin banditët dhe trafikantët para ligjit, me një kusht, që politikanët të mos i pengojnë. Ju garantoj se zero tolerancë do jetë qëndrimi ndaj korrupsionit.
Çdo shtet, në luftën kundër korrupsionit ka një ligj themelor dhe ky ligj quhet ligji i konfliktit të interesit. Ligji i konfliktit të interesit ndalon çdo pushtetar të përdorë pushtetin për qëllime të pasurimit të tij dhe familjarëve të tij. Ka shumë kritika të ndryshme, por të garantoj se ky ligj është zbatuar nga qeveria e mëparshme me rigorozitetin më absolut. Dhe zbatimi i këtij ligji ka bërë të mundur të respektohet gara e hapur, të respektohet konkurrenca e ndershme. Se cili ka qenë zbatimi i këtij ligji, unë duhet t’u rikujtoj se nga një kontroll 4-vjeçar që Skapi i partisë ka bërë për Sali Berishën kryeministër, pas këtij kontrolli kanë gjetur se ai kurrë nuk ka firmosur një vendim nominal përveçse në rastin e të ndjerit Ismail Kadare për një banesë e cila në njëfarë mënyrë vinte si shkëmbim për banesën e tij në Gjirokastër që do bëhej muze.
Ky veting nuk ka gjetur në tërë vitet se familjarët e Sali Berishës kanë përfituar qoftë dhe një qindarkë të vetme nga fonde publike. Dhe u siguroj se kjo që ka ndodhur me Sali Berishën, ka qenë një standard edhe për zyrtarët e tjerë. Unë nuk them se nuk ka pasur përjashtime, por sot përdorimi i pushtetit për pasurimin e familjarëve është bërë ligj.
Në qoftë se ju merrni Edi Ramën, ai ka tre vendime nominale për Olsi Ramën, me të cilin i jep 38 mijë metër katrorë tokë të privatëve tek Rrapi i Treshit. Thjeshtra e tij, për të cilën njëherë thotë është vajza e shtëpisë, dhe me ligj ajo është vajza e familjes, ligji i konfliktit të interesit përfshin fëmijët e bashkëshortëve, duket ditur që mund të jenë të dy me fëmijë të tjerë, me ligj nuk mund të përfitojë, dora e saj është në kushedi sa e sa tendera siç është për shembull Porto Romano, etj.
Dosjet në prokurori dhe jashtë saj, tregojnë se balozi i zi i vërtetë i AKSHI-t, ku janë plaçkitur të paktën 600 milionë euro, është Armand Frangu, është baxhanaku i Edi Ramës, për të cilin në kodin e Omertas, në kodin e mafias, mediat heshtin.
Nuk ka diskutim se anëtarë kryesorë të grupit kriminal të AKSHI-t janë Ermal Beqiri, është Ergys Agasi, janë dhe të tjerë, por dora e zezë, por bajlozi i zi është Armand Frangu dhe kunata e tij, Linda e Surrelit e cila ka drejtuar çdo tender. Pra, zbatimi i këtij ligji, përdorimi i metodave që garantojnë transparencë të plotë dhe ruajnë barazinë para ligjit në konkurrencë, vendosja online e të gjitha procedurave në mënyrë që t’i kontrollojë cilido, janë mjetet për të krijuar transparencën dhe luftuar korrupsionin. Natyrisht shpallja e korrupsionit si krim i rëndë është e domosdoshme. Pra, PD ka një platformë shumë serioze të hartuar me dy fondacionet më të fuqishme të botës, Heritage Foundation dhe Adenauer Foundation, si për luftën kundër krimit të organizuar, ashtu edhe për luftën kundër korrupsionit./