Kronike
Familja dhuroi organet e 16 vjecarit pas vdekjes së tij, nëna e Lorenzos: Dua të takoj marrësit…
Kanë kaluar dy vite nga aksidenti tragjik që i mori jetën 16-vjeçarit shqiptar Lorenzo Çela në Itali, por familja e tij vijon ta kujtojë dhe të përballet me dhimbjen e humbjes.
Në këtë përvjetor, familja ka rikthyer në vëmendje vendimin për dhurimin e organeve të të riut, i cili kishte ëndërr të bëhej futbollist. Pas aksidentit të rëndë, familjarët vendosën që organet e Lorenzos të dhuroheshin, duke u dhënë mundësinë pacientëve të tjerë të vazhdonin jetën.
Transplantimet u kryen gjatë natës mes 12 dhe 13 gushtit 2024, në Spitalin Civil të Brescias.
Dy vite më pas, nëna e 16-vjeçarit ka shprehur një dëshirë të veçantë: të njohë personat që sot jetojnë falë organeve të djalit të saj.
“Sot do të doja të shprehja një dëshirë dhe t’u kërkoja marrësve të organeve të djalit tim Lorenzo, edhe pse është pothuajse e pamundur, që të takoheshim”, ka shkruar ajo në një postim në rrjetet sociale.
Për familjen, dhurimi i organeve është një mënyrë që Lorenzo të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj bote, pavarësisht se jeta e tij u ndërpre tragjikisht në moshën vetëm 16-vjeçare.
Edhe xhaxhai i të riut ka ndarë një mesazh në kujtim të tij, duke e përshkruar Lorenzon si një djalë të dashur dhe një figurë të rëndësishme për familjen.
Aksidenti fatal ndodhi në gusht të vitit 2024, në rrugën Via Mantova, në zonën mes Lonato dhe Castiglione delle Stiviere. Lorenzo ndodhej në automjet së bashku me të dashurën e tij dhe nënën e saj kur u përfshinë në aksident.
16-vjeçari pësoi dëmtime të rënda dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi të mbijetonte.
Dy vite pas tragjedisë, familja vijon ta kujtojë Lorenzon, ndërsa vendimi për dhurimin e organeve mbetet një nga mënyrat përmes të cilave ajo beson se i riu vazhdon të jetojë, duke u dhënë shpresë dhe jetë personave të tjerë.