Connect with us

Aktualitet

Amnistia përplaset me drejtësinë! 10 mijë hetime pritet të mbyllen, por dosjet zvarriten

Zbatimi i ligjit të amnistisë 2026 po përballet me vonesa në sistemin gjyqësor, ndërsa të dënuar dhe persona që përfshihen në kategoritë përfituese kanë ngritur shqetësimin se vendimet gjyqësore po zbardhen me vonesë.

Ankesat i janë përcjellë edhe Avokatit të Popullit. Sipas tyre, vonesat po krijojnë pengesa në zbatimin e amnistisë, edhe pse ligji parashikon mundësi për përfshirjen e rasteve kur vendimet nuk janë ende të arsyetuara.

Në këtë kategori përfshihen persona që kanë qenë në proces gjyqësor dhe ndaj të cilëve vendimi është shpallur deri më 31 maj. Në rastet kur vepra penale përfshihet në kategoritë e amnistisë, qytetari mund të heqë dorë nga e drejta e apelit për të përfituar nga falja.

Ndërkohë, sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, edhe prokuroritë nuk kanë përfunduar raportimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme për numrin e dosjeve që pritet të mbyllen në zbatim të ligjit.

Përpara hyrjes në fuqi të amnistisë ishte parashikuar që të mbylleshin me falje rreth 10 mijë hetime, kryesisht për vepra si aksidentet pa pasoja, drejtimi i automjetit në gjendje të dehur, ndërtimet pa leje dhe kundërvajtjet penale.

Në udhëzimin e Prokurorit të Përgjithshëm u kërkohet prokurorëve të vendosin pushimin e procedimeve ose të mos i fillojnë ato për veprat e kryera deri më 31 maj, nëse përfshihen në kategoritë e parashikuara nga amnistia. Bëhet fjalë kryesisht për vepra që parashikojnë dënim deri në tre vjet burg, me përjashtimet e përcaktuara në ligj.

Udhëzimi përfshin edhe çështjet e pezulluara më herët për shkak të mosidentifikimit apo mosgjetjes së autorëve, kur ato përfshihen në amnisti.

Ende nuk ka një shifër të saktë për numrin e çështjeve që do të mbyllen në këtë mënyrë. Megjithatë, zbatimi i amnistisë pritet të ndikojë edhe në uljen e stokut të dosjeve që rëndojnë sistemin e drejtësisë.

Në muajin shtator pritet që drejtuesit e prokurorive të raportojnë pranë Prokurorit të Përgjithshëm numrin e përfituesve, çështjet e mosfilluara, procedimet e pushuara gjatë hetimit dhe rastet e mbyllura gjatë fazës së gjykimit.

Advertisement