Kronike
Tentoi të vriste Mir Bitocin në një lokal, policia arreston autorin
Policia e Elbasanit ka arrestuar personin e dyshuar si autor të tentativës për vrasjen e Mir Bitocit, ngjarje e ndodhur mesditën e kësaj të shtune në një lokal në Elbasan.
Sipas të dhënave paraprake, autori ndodhej brenda lokalit ndërsa Bitoci po përgatitej të largohej. Në momentin që ai ka dalë jashtë, i dyshuari e ka ndjekur nga pas dhe i është afruar, duke i vendosur armën e zjarrit në pjesën e pasme të kokës.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentin e incidentit. Dyshohet se autori ka tentuar të qëllojë, por arma mendohet se është bllokuar. Kjo i ka dhënë mundësi Bitocit të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policia ka ndërhyrë menjëherë pas ngjarjes dhe ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, ndërsa pritet të përcaktohen motivi, rrethanat që i paraprinë atentatit dhe roli i personave të përfshirë.
Mir Bitoci është një emër i njohur në Elbasan dhe, sipas të dhënave të publikuara ndër vite, është përmendur në episode të ndryshme gjatë periudhës së trazuar të viteve ’90. Në vitet e mëvonshme, ai ka jetuar kryesisht jashtë vendit.