Connect with us

Aktualitet

Zjarri në hotelin në Vlorë/ Ministria e Shëndetësisë: Një vajzë në gjendje të rëndë

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion për gjendjen shëndetësore të pesë personave që u transportuan në Tiranë pas zjarrit të fuqishëm në hotelin në Vlorë.

Tre prej të lënduarve ndodhen në Spitalin Universitar të Traumës “Nënë Tereza”. Njëra prej pacienteve paraqitet në gjendje të rënduar, për shkak të përqindjes së lartë të djegieve në trup dhe po mbahet nën monitorim e kujdes të vazhdueshëm mjekësor. Pacienti tjetër, sipas Ministrisë, paraqitet klinikisht më i qetë.

Dy pacientë të tjerë ndodhen në Spitalin e Traumës, pasi kanë pësuar fraktura si pasojë e hedhjes nga ballkoni në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve.

Njëra prej tyre është në gjendje shëndetësore të stabilizuar, por për shkak të dëmtimeve të marra do të vijojë të mbahet nën monitorim intensiv dhe të vazhdueshëm nga stafi mjekësor. Pacientja tjetër paraqitet gjithashtu në gjendje të qëndrueshme.

Ndërkohë, vijon ndjekja mjekësore e të gjithë personave të lënduar, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të zjarrit në hotelin e Vlorës.

Advertisement