Kronike
Në kërkim ndërkombëtar/ Tre të arrestuar, mes tyre edhe i dyshuari për vrasjen e Devi Kasmit
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, ka finalizuar tre raste të reja të lokalizimit, arrestimit dhe ekstradimit të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale.
Në Rinas është arrestuar përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Spanjës, 43-vjeçari Bujar Buja, lindur në Gjakovë dhe banues në Amsterdam. Ai kërkohet nga autoritetet spanjolle për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Sipas hetimeve të autoriteteve spanjolle, Buja dyshohet se ka qenë i përfshirë në transportin e kokainës në kuadër të një organizate kriminale aktive në Spanjë.
Ndërkohë, në Rumani është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë 49-vjeçari Aurel Hoxhallari, lindur në Tiranë. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare për disa vepra të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim, trafikim narkotikësh, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Hoxhallari ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2018 në lidhje me vrasjen e Devi Kasmit.
Nga ana tjetër, nga Londra është ekstraduar drejt Shqipërisë 31-vjeçari Xhuljano Hoxha, lindur në Berat. Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, në kuadër të një procedimi të lidhur me një rast të goditur në vitin 2022 në qarkun e Beratit.
Interpol Tirana vijon procedurat me autoritetet homologe në Spanjë, Rumani dhe Mbretërinë e Bashkuar për ekstradimin e personave të arrestuar, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar synon lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.