Aktualitet
Zjarri vijon të djegë Lurën, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme
Situata me zjarret në vend vijon të mbetet problematike, ndërsa zjarri në Lurë vijon të jetë aktiv. Në lidhje me këtë, Kryeprokurori i Dibrës, Abaz Muça ka shkuar në terren për të parë situatën në Parkun Kombëtar të Lurës. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve dhe neutralizimin e situatës.
Në kuadër të kësaj janë angazhuar 115 forca bashkiake, 13 forca policore, 11 ADZM, 14 efektivë MZSH me 2 automjete zjarrfikëse, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës i FA. Korridoret e hapura kanë penguar avancimin e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Dyshohet se disa prej vatrave mund të jenë shkaktuar qëllimisht, ndërsa priten edhe shoqërime të personave që dyshohen për zjarrvënie të qëllimshme. Hetimet pritet të përcaktojnë shkaqet dhe përgjegjësit për zjarret që kanë përfshirë masivin pyjet e Lurës./