Kosova
Kosova po humbet aleatët/ Koci: Albin Kurti po refuzon nismat e Amerikës që na ngriti nga hiri
Komentatori politik, Melazim Koci, e ka cilesuar si skandaloze deklaratën e fundit të presidentit Zelensky në Beograd se Ukraina nuk e njeh pavaresine e Kosoves dhe vlerësoi se kjo situatë është edhe produkt “i politikave amatore të diplomacisë kosovare”.
“Diplomacia e Kosovës, gati inekzistente, ka bërë veprime që ia kanë bërë më të lehtë Zelenskyt të bëjë deklarime të tilla, sepse diplomacia jonë ka zbehur dhe dëmtuar seriozisht raportet me aleatët kryesorë – SHBA-në dhe BE-në. Pa ndihmën e tyre, politika jonë e jashtme është shterpë dhe pa asnjë ndikim” – deklaroi Koci.
Duke i cilësuar raportet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve si të nivelit më të ulët, Koci renditi edhe disa nga pikat ku autoritetet kosovare kanë dështuar në raport me SHBA-të.
“Është refuzuar termocentrali ‘Kosova e Re’, është refuzuar tubacioni Ferizaj–Shkup, që do lidhte Kosovën me gazin amerikan dhe, së fundi, edhe shtrirja e rrjetit të gazit amerikan në Kosovë. Kjo e fundit është marrëzia më e madhe. Jemi vendi i vetëm në Ballkan që nuk perfshihemi në këtë projekt, i cili nuk është i natyrës ekonomike dhe financiare, por politike dhe gjeopolitike. Ai synon luftimin e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan. Dhe tani shtrohet pyetja: përse duhet amerikanët ta ndihmojnë Kosovën, nëse nismat e tyre refuzohen nga një vend që e ngritën nga hiri?” – potencoi analisti politik.
Koci ndër të tjera ka vënë në pah edhe faktin se si Kosova nuk u ftua në dy samitet e fundit Ukrainë–Evropë Juglindore, ndonëse në tre samitet e mëhershme – Dubrovnik, Tiranë dhe Athinë – Kosova ishte pjesëmarrëse.
“Dhe çfarë bëri Kosova për faktin që nuk u ftua nga Ukraina? Heshti, thuajse sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kjo flet për një politikë të jashtme sterile, që nuk mendon fare për dëmet që i shkaktohen Kosovës nga paaftësia e saj” – theksoi Koci